Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Arbëria > Ish-komandant Qeriqi përfundon dëshminë në rastin Thaçi dhe të tjerët

Ish-komandant Qeriqi përfundon dëshminë në rastin Thaçi dhe të tjerët

Pas dy ditësh e gjysmë dëshmi, ka përfunduar dëshminë dëshmitari i 55-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), Ramiz Qeriqi në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.

Në fund të dëshmisë, dëshmitari u mor në pyetje nga trupi gjykues, saktësisht gjyqtarët Guénawl Mettraux dhe Fergal Gaynor, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Dëshmitari tha se në mes të gushtit 1998 është emëruar zyrtarisht si komandant i Batalionit, por që këtë funksion e ushtronte edhe më herët.

“M’u ka dhënë me shkrim vendimi. Ndërsa, edhe më herët, batalioni ka funksionu si batalion. Por, në këtë kohë m’u ka dhënë me shkrim”, tha ai.

Dëshmitarit iu prezantua edhe rregullorja që supozohet që është e policisë ushtarake e cila është nënshkruar nga Haxhi Shala, në të cilën sipas trupit gjykues thuhet se ata kanë të drejtë të ekzekutojnë, arrestojnë edhe komandantët e batalionit, në rast të shkeljes së rregullores.

Qeriqi tha se fjala ‘ekzekutoj’ e përdorur në atë dokument nuk është fjalë e mirë dhe nuk i kujtohet nëse ka pasur raste të tilla diku gjatë kohës sa ka shërbyer në luftë.

“Po tash masi e lexut ju, me ra në sy, jo fjalë e drejtë, jo fjalë e mirë. Nuk e di që kanë ekzekutu dikun. Nuk e di pse e kanë shkru këtu, duhet me e pyet Haxhiun jo mua, fjalë e keqe. Të ekzekutohet, s’kam përgjigje, po më çuditë pse e kanë shkru këtu. Policia ka të drejtë të arrestojë është… pytne Haxhiun”, tha dëshmitari.

Qeriqi shtoi se fjala ‘ekzekutoj’ e ka kuptimin që “të eleminoj”.

Ndërsa, sa i takon çështjes së bashkëpunëtorëve me Serbinë, Qeriqi tha se asnjëhrë nuk është diskutuar në mbledhjet javore në nivel brigade.

Qeriqi u mor në pyetje edhe nga avokati i Thaçit, Luka Mishetiq e po ashtu edhe nga ai i Veselit, Ben Emmerson.

Mishetiq pyeti dëshmitarin lidhur me deklaratën e tij për anëtarët e LPK-së dhe funksionet e tyre në udhëheqjen e UÇK-së.

“Kryesorët në LPK, Azem Syla, Xhavit Haliti janë kryesorët në UÇK që janë të LPK-së. Unë kur e kam thënë këtë ka qenë realiteti se nuk kam dashtë me i hup vlerat e LPK-së për luftën. Nuk e kam thënë për të keq, por për të mirë. Le të dihet botërisht se anëtarët e LPK-së e kanë bërë këtë organizim”, tha dëshmitari.

Ndërsa, për përzgjedhje e vullnetarëve dhe gjasave që të ketë dyshime për ndonjërin prej tyre si bashkëpunëtor, dëshmitari tha se nuk i ka ndodhur asnjëherë të ketë dyshime ose ta largojë dikë nga ushtria.

“S’ka ndodhë asnjëherë që me me ardhë dikush që ka qenë i dyshimtë. Të gjithë çka kanë ardhë i kam pranu, e kam librin Amëz se kush ka qenë. Asnjëherë nuk ka ndodhë qe me e largu dikë, s’e kam largu askënd. Ata që kanë ardhë i kam pranu”, tha Qeiriqi.

Dëshmitari theksoi se bashkëpunëtorët e Serbisë nuk kanë ardhë në UÇK, por kanë ardhë ata që kanë dashur ta çlirojnë vendin.

Ramiz Qeriqi u pyet nga Emmerson në emër të klientit të tij lidhur me një takim që vetë ai kishte thënë se kishte ndodhur në mes Azem Sylës, Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Ram Bujes dhe Veselit.

Emmerson tha se Veselit nuk i kujtohet se ka ndodhur ky takim.  Ndërsa, dëshmitari insistoi në deklaratën e tij duke thënë se ai ka qenë i pranishëm, por që nuk ka folur në takim.

Pas kësaj, kryetari i trupit gjykues njoftoi se sesioni i pasdites i kësaj seance do të vazhdojë me dëgjimin e dëshmisë së dëshmitarit të 56-të të ZPS-së në këtë proces, por që sipas tij ai është me masa mbrojtëse.

Themes by WordPress