Problemi Kosovës-Serbi nuk do të jetë ndër prioritetet e Trump-it dhe problemi në dialogun e ngecur nuk është as në Bruksel e as në Uashington, por në Beograd dhe Prishtinë, ka deklaruar Thomas Countryman, ish-ndihmës sekretari amerikan i Shtetit për Evropën, për portalin serb “kosovoonline”.
I pyetur për mundësinë që administrata e re amerikane e kryesuar nga Donald Trump që përmes “zgjidhjes territoriale” ta zgjidhë çështjen e Kosovës dhe çështjen e Palestinës dhe Izraelit, ish-diplomati i lartë amerikan nuk beson se kjo do të ndodhë.
“Nuk do të komentoj për Palestinën dhe Ukrainën, por kur bëhet fjalë për Ballkanin, problemi Kosovë-Serbi nuk do të jetë prioriteti i parë i Donald Trump. Në fakt, nuk do të jetë as ndër 50 prioritetet kryesore”, ka theksuar Countryman, transmeton Paparaci.
Ai beson se ideja për ndarjen e territorit nuk ka qenë e mirë që në fillim.
“Unë kam thënë pesë vjet më parë kur kjo u përmend për herë të parë, se nuk ishte një ide e mirë. Nuk është ide e mirë sepse atëherë nuk do të kishte fund. Nuk ka shtete etnikisht të pastra në Ballkan dhe nëse një vend nuk mund të jetojë si një vend multietnik, problemi nuk mund të zgjidhet duke shkëmbyer njerëz apo territore”, ka thënë Countryman.
Ai ka shtuar se është një perceptim i gabuar që më së shumti përgjegjës për bllokimin e negociatave janë SHBA dhe BE.
“Më duket se problemi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë nuk është as në Uashington dhe as në Bruksel, problemi është në Beograd dhe Prishtinë. Dhe presidenti i ri amerikan nuk mund ta ndryshojë këtë fakt”, ka theksuar Countryman.
Ai ka thënë se është e pamundur që të njëjtën mënyrë të zgjidhet problemi mes Serbisë dhe Kosovës si konfliktet në Rripin e Gazës dhe në Ukrainë.
“Unë nuk e shoh se çfarë lidhje kanë këto me Kosovën”, ka përfunduar Countryman.