Ish-deputetja e Vetëvendosjes, Shqipe Pantina i është bashkuar Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).
Lajmin e ka kumtuar kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, si dhe vetë Pantina nëpërmes një postimi në Facebook.
“Shqipja ka shërbyer për dy mandate si deputete e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Para angazhimit politik, ajo ishte pjesë e shoqërisë civile, sikurse dhe konsulente në projekte të ndryshme ndërkombëtare me organizata prestigjioze si USAID, BE, OSBE, NDI, IFES e IREX”.
“Shqipja i ka të mbaruara studimet bazike në Universitetin e Prishtinës, Fakultetin e Shkencave Politike, ndërsa ka magjistruar në Universitetin e Gracit në Austri, në fushën e studimeve evropiane. Në vitin 2012 ka specializuar në Universitetin e Indianas të ShBA-ve në fushën e sistemeve zgjedhore”.
Abdixhiku ka thënë se është jashtëzakonisht i lumtur për ardhjen e Shqipes në LDK.
“Ajo përveç se pasuron radhët tona politike, vazhdon ciklin e bashkëngjitjeve që anëtarë të jetës publike, politike, medias e shoqërisë civile po e bëjnë me LDK-në. Lidhja Demokratike e Kosovës sot është bërë adresa e vetme e profesionistëve të tillë. Nga këtu, kështu, e kemi për obligim t’i ofrojmë qytetarëve të vendit platformë politike të denjë për rrugëtimin e ardhëm që Kosova e meriton”.
Ndërsa Pantina ka shkruar se ndihet e nderuar me ftesën e kryetarit Lumir Abdixhiku të bëhet pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës.
“Angazhimi im në politikë çdoherë ka pas synim gjetjen e zgjidhjeve për problemet me të cilat përballet vendi ynë, andaj edhe e kam pranuar ketë ftesë dhe kam vendosur të i kthehem sërish politikës aktive”.
Sipas Pantinës, LDK sot është bërë adresë ku shumë veprimtarë politikë, të reja e të rinj që duan të kontribuojnë për një të ardhme më të mirë për vendin, familjen dhe veten e tyre, po i bashkohen kësaj partie.
“Jam shumë e lumtur të bëhem pjesë e këtij grupi dhe shpresoj qe më përvojën time profesionale dhe politike të ndihmoj në hartimin e platformës programore që orientim ka zhvillimin e vendit dhe mirëqenien e qytetarëve. Na priftë e mbara!”.
/TV Arbëria