Ish-deputetja e PDK-së, Sala Berisha-Shala, ka vizituar ish-krerët e UÇK-së në Hagë, raporton TV Arbëria.
Përmes një postimi në Facebook, ajo ka thënë se ata po qëndrojnë të pathyeshëm prapa dyerve të hekurta dhe krenarë më shumë se kurrë në idealin e përbashkët për mbrojtjen e lirisë dhe dinjitetit të shtetit të Kosovës, krerët e shtetit dhe të UÇK-së.
Ajo ka treguar se është takuar me Krasniqin, Thaçin, Veselin, Selimi, Haradinajn e Gucatin.
Ish deputetja ka treguar detaje se çfarë i ka thënë secili në takimet e veçanta që i cilëson.
Postimi i saj i plotë:
Prapa dyerve të hekurta, po qëndrojnë padrejtësisht, të pathyeshëm, krenarë e më të qartë se kurrë në idealin e përbashkët për mbrojtjen e lirisë dhe dinjitetit të shtetit të Kosovës, krerët e shtetit dhe të UÇK-së
Gjatë vizitave disa ditore në Hagë, mes ndjenjës së dhimbjes e krenarisë, po i takoja këta burra, të cilët me qëndrimin e tyre, po e dëshmojnë që në çdo epokë të historisë së vendit, ata nuk kishin qenë rastësisht në ballë.
Në historinë njerëzore është tepër e rrallë të gjesh ndonjë rast që një gjenerate apo një kaste të njerëzve i bie hise të jetë gjithmonë në front lufte mbrojtëse.
Këta djemtë e dikurshëm “rebel” të cilët kalonin kufirin ilegalisht, të armatosur për ta çliruar Kosovën dhe popullin e saj nga barbaria serbe, sot po vazhdojnë luftën për Kosovën këtu midis Evropës, në Hagë, në një dimension tjetër dhe ndryshe. Sepse këtu është zhvendos fronti i betejës së fundit për Kosovën, dhe këtyre u ra hise të nisen në këtë front!
Meqë edhe vet e kam provuar pak burgun(si studente), ndjenjat mes dhimbjes e krenarisë nuk mund ti ndaja në pritje të vizitës me këta shokë, bashkëveprimtarë e bashkëpartiakë, të cilët këtu dukeshin edhe më të mëdhenjë se sa kur ishin të ngarkuar me pushtet në shtetin që e kishin ndërtuar bashkë. Ata po vazhdojnë ta mbrojnë këtë shtet nga shpifjet e fabrikuara nga Serbia e cila kishte vrarë, djegur, masakruar e shkatërruar çdogjë! Të vetdijshëm e ndërdijshëm se tani janë në një istikam krejt ndryshe nga ai i çlirimit, krejt ndryshe nga istikami i shtetndërtimit, këtyre djemve tani i’u ka rënë hise të qëndrojnë fortë në këtë betejë të mbrojtjes së lirisë…sa e çuditshme! Ata djemtë e rinjë rebelë që nuk pyeten fare dikur për forcat skajshëm të pabarabarta me okupuesin, jo vetëm që i shpallën luftë por me mençurinë e tyre arritën t’a bindin bashkësinë ndërkombëtare të bëhet aleate e fuqishme e kësaj ndërmarrje çlirimtare.
Takimi me secilin kishte të veçantën e vet!
Vizitën e nisëm me bacën Jakup. Ishte po ai i njëjti, me një qetësi të papërshkrueshme fliste për të tashmën, reflektonte për të ardhmën, e tërhiqte paralele prej një pedagogu të urtë. Biseda me bacën Jakup, ishte e këndshme dhe motivuese. Mbi të gjitha më gëzoi fakti që gëzonte shëndet të mirë.
Përshtypjen që kjo vizitë, vetëm si vizitë burgu nuk ndjehej, e vulosën takimet me Kadriun e Hashimin!
Nuk munda t’i drejtohem ndryshe Hashim Thaqit, instiktivisht me dilte ti drejtohesha me president… Shumë i afërt dhe në humor shumë më shumë nga sa njihet natyra e tij, e pashë një figurë më të fortë se kurrë, prej një burrështetasi me vizion të qartë, i pathyeshëm e i palëkundur, njëherazi një njeri i thjeshtë, me këmbë në tokë, plot optimizëm e shpresë. Pyetjes së tij se “cka po ban këto kohë, cka je tuj’ punu” iu pergjigja me “asgjë, po rri n’shpi” , e ai me bindje ma ktheu “nuk besoj kurrë që ti vec rrin?!” Me një gjysmë shakaje i thashë se une jam në pritje t’i kthehemi bashkë politikës se mjaft kemi pushu.
Tek po prisnim në dhomën e vizitave për ta takuar Kadriun, këtë njeri qe e njihja mbi tri dekada, u mundova të përmbledh mendimet. Qëllimshëm riktheva në memorie atë kohë të ilegales që të marrë forcë nga ato ideale qe dikur na patën bërë bashkë me të e shumë shokë të tjerë, pastaj periudhën e luftës, atë të lirisë e pavarësisë, ku punuam fort për shtetndërtim… I riktheja qëllmishëm pra këto kujtime, me idenë të zgjedhja fjalet e duhura për të ngritur moralin e tij gjatë kësaj vizite. Ndërkohë që asnjë krahasim s’më dukej i denjë. Ishte kaq i padrejtë ky lloj takimi në këto kushte, me këtë njeri e shokët e tij këtu. E humbur në këto mendime, drejt nesh afrohet i qeshur ai, Kadri Veseli. Në biseden me të, ndjeva këtë lloj peshe të më largohej, e deri në fund të vizites, mbeta me një përshtypje krejt ndryshe.
Kadri Veseli ishte ai që me qetësinë, logjikën e vizionin për të ardhmen, po na ngriste moralin neve qe ishim përballë tij.
Krijova përshtypjen se ai, aspak nuk ndjehej si një i burgosur.
Ishte po ai i njëjti, njeri i afert me te gjithë, mbi te gjitha shumë optimist per te ardhmen
Nga qendrimi i tij me plot energji pozitive, duke mos u ndal fare në sfiden që po kalon, krijova përshtypjen se ai këtë proces po e shihte si një tjetër hap të domosdoshem drejt rrugëtimit të tij për t’i dal Zot Pavarsisë dhe Shtetit, permes argumentimit dhe dëshmimit të pastërtisë se luftës së UÇK-së, dhe kjo do të arrihej PATJETËR!
Rexha, në anën tjetër, mendjemprehtë, tip i hareshëm, me një humor që i dilte natyrshëm, siç e ka karakterizuar përherë. Është fat (në fatkeqësi ) me e pasë një tip të tillë në rrethana të tilla sic eshte jeta ne burg. “Nuk është me rëndësi a do të perfundojë shpejtë, e rëndësishme është të përfundojë mirë për Kosovën kjo betejë!”- ma ktheu, pasi unë i urova t’i shohim bashkë në liri sa më parë.
Kjo vizitë nuk do të kishte kuptim pa dy figurat, roje të dinjitetit të UCK-së, Nasimin e Hysniun. Nasimi, i sinqertë, kryengritës e i patrembur edhe atje. Pa rezerva, ashtu siç ka ditur gjithëmonë, pa kursyer veten.
Hysniu po ai burrë i urtë, stoik, përkundër problemeve me shëndetin, moralin e besimin i mbante të fortë. Që uniteti e solidariteti ndjehej në ajër, e konfirmoi edhe vet Hysniu, me kujdesin që këta shokë bashkërisht kishin treguar për të, gjatë periudhave te veshtira shëndetsore qe kishte kaluar këtu.
E kush më mirë do të dinte të mbronte luftën, pavarsinë e shtetin e Kosovës se sa këta?! Po dëshmohet se në çdo epokë të historisë së vendit, ata nuk kishin qenë asnjëherë rastësisht në ballë të proceseve. Zoti i ka bekuar me urtësi, familja i ka rritur me atdhedashuri, e jeta i ka mësuar durim… durim se ditë më të mira do të vijnë, se drejtësia do të triumfojë patjetër!