Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Bota > Irani zotohet se do të hakmerret ndaj Izraelit, Egjipti propozon armëpushim dyditor në Gazë

Irani zotohet se do të hakmerret ndaj Izraelit, Egjipti propozon armëpushim dyditor në Gazë

Pas sulmit të Izraelit ndaj bazave ushtarake në Iran, Presidenti iranian Masoud Pezeshkian tha se shteti i tij do t’i përgjigjet “në mënyrën e merituar” Izraelit. Ai akuzoi Shtetet e Bashkuara se nuk e kishin mbajtur premtimin për t’i dhënë fund luftës në Gazë dhe Liban në këmbim të përmbajtjes nga Irani. Ndërkohë Këshilli i Sigurimit pritet të mbajë një takim urgjent sot pasdite me kërkesën e Iranit krahas një propozimi të Egjiptit për një armëpushim 2 ditor në Gazë dhe lirimin e katër pengjeve që mbahen nga militantët e Hamasit.

Drejtuesi i Rojës Revolucionare të Iranit, Gjenerali Hossein Salami paralajmëroi për pasoja, siç tha ai, “të hidhura përtej imagjinatës” së Izraelit, ndërkohë që Presidenti iranian Masoud Pezeshkian tha se shteti i tij do t’i përgjigjet “në mënyrën e merituar” Izraelit.

Presidenti iranian Pezeshkian akuzoi Shtetet e Bashkuara se nuk e kishin mbajtur premtimin për t’i dhënë fund luftës në Gazë dhe Liban në këmbim të përmbajtjes nga Irani, sipas televizionit shtetëror iranian.

“E vërteta është që vendi dhe populli ynë kanë dëshmuar në 40-45 vitet e fundit se nuk janë të gatshëm të zmbrapsen përballë agresorëve dhe nuk do të zmbrapsen as kësaj radhe… Ne gjithmonë i kemi mbrojtur të drejtat e popullit tonë dhe do të vazhdojmë ta bëjmë një gjë të tillë”, deklaroi ai.

Këshilli i Sigurimit pritet të mbajë një takim urgjent sot pasdite me kërkesën e Iranit, e cila u mbështet nga Rusia, Kina, Alergjia dhe përfaqësuesi i shteteve arabe në Këshill.

Analistë izraelitë thonë se përzgjedhja e objektivave ushtarake në Iran gjatë sulmit të fundjavës, në vend të atyre bërthamore apo të prodhimit të karburanteve, ishte një vendim i menduar mirë nga Izraelit për të mos përshkallëzuar konfliktin.

“Ka patur një trysni të jashtëzakonshme nga administrata e Presidentit Biden në 2-3 javët e fundit për të mos shkuar drejt një përshkallëzimi. Besoj që Izraeli, për shkak se varet nga furnizimi me raketa amerikane, nuk ka dashur të zemërojë Presidentin Biden dhe Nënpresidenten Harris. Prandaj objektivat që u zgjodhën ishin ushtarake, ato ishin fabrika që prodhojnë dron dhe sisteme anti-raketore”, thotë eksperti i zbulimit Eyal Pinko nga Qendra për Studime Strategjike ‘Begin-Sadat’.

Presidenti i Egjiptit Abdel Fattah el-Sissi njoftoi të hënën se shteti i tij ka propozuar një armëpushim dy ditor ndërmjet Izraelit dhe Hamasi gjatë të cilit do të lirohen katër pengje që po mbahen nga militantët palestinezë në Gazë.

“Po bëhen të gjitha përpjekjet me partnerët tanë për t’i dhënë fund luftës dhe për të mundësuar futjen e ndihmave. Egjipti gjatë ditëve të fundit është përpjekur të fillojë një nismë për të lëvizur gjërat, duke ndalur luftën për dy ditë, në këmbim të katër pengjeve dhe disa të burgosurve nga burgjet izraelite,” tha ai.

Ai tha se pas 10 ditësh do të mbahen negociatat për të mbyllur çështjet e hapura drejt një armëpushimi të plotë dhe futjes së ndihmës.

Ndërkohë, ushtria izraelite njoftoi të hënën se ka ndaluar 100 militantë të dyshuar të Hamasit gjatë bastisjes së një spitali në pjesën veriore të Gazës gjatë fundjavës. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, shumica e të arrestuarve ishin punonjës të spitalit, ndërsa zyrtarët mjekësorë palestinezë thanë se spitali, ku po trajtoheshin rreth 200 pacientë, është dëmtuar rëndë gjatë operacionit.

Ushtria izraelite ka bastisur disa spitale në Gazë gjatë këtij viti lufte, duke thënë se Hamasi dhe militantët e tjerë i kanë shfrytëzuar ato për qëllime ushtarake, ndërkohë që autoritetet palestineze të shëndetësisë hedhin poshtë këto akuza.

Sipas një zyrtari të lartë izraelit, brenda spitalit u gjetën armë. Ai tha se punonjësit e spitalit u ndaluan dhe u kontrolluan për shkak se disa nga militantët ishin maskuar si mjekë.

Bastisja e spitalit ishte pjesë e një ofensive më të gjerë të ushtrisë izraelite të tre javëve të fundit, e cila u ka bërë thirrje palestinezëve të largohen nga kjo pjesë e territorit. /VOA

Powered by WordPress