Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Bota > Irani në një situatë pa shtegdalje pas vrasjes se Ismail Haniyeh

Irani në një situatë pa shtegdalje pas vrasjes se Ismail Haniyeh

Shkruan: Afrim Kasolli

Që nga dita e eliminimit e Ismail Haniyeh, liderit politik të Hamasit – grupit të shpallur terrorist nga SHBA dhe BE, janë shtuar zërat se tashmë një luftë e re ndërmjet Iranit dhe Izraelit, po bëhet e pashmangshme.

Ndonëse, autoritetet në Izrael kanë heshtur deri më tani për këtë atentat, për shumë kënd mënyra se si është kryer ai, krijon dyshime se prapa tij qëndron, Tel Avivi. Këto dyshime bëhen edhe me reale, sidomos kur marrim parasysh edhe zotimin e Izraelit se do t’i zhduk të gjithë ata persona që ishin përgjegjës për sulmin 7 tetorit të kryer në territorin e këtij shteti, ku mbetën të vrarë rreth 1200 civilë, si dhe u kidnapuan rreth 250 persona. Kjo vrasje pason atë të Fuad Shukri, si njëri nga komandantët kryesor të Hezbollahut, po ashtu kjo një organizatë që mbështetet nga Irani dhe në vazhdimësi ka kryer sulme ajerore me raketa në drejtim të Izraelit, sikur ky i fundit në Lartësitë Golan, ku mbetën të vrarë 12 fëmijë.

Atentate të kësaj natyre nga shërbimi inteligjent izraelit brenda territorit të Iranit kishin ndodhur edhe ne të kaluarën. Në vitin 2020 në rrethana të pa pasqaruara ishte vrarë drejtuesi kryesor i projektit bërthamor të Iranit, Mohsen Fakhrizadeh. Mirëpo, atë kohë, regjimi në Tehran e kapërdiu këtë akt, vetëm një reagim të zemëruar në publik. Kurse vrasja tjetër që bëri bujë, por që u tha se ishte kryer nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ishte ajo komandantit të njohur ushtarak, Qasem Suleinami.

Seria e eliminimeve të tilla është e gjatë, nga të cilat vetëm vrasja e disa komandantëve të lartë të Gardës Revolucionare Islamike në një sulm në konsultën diplomatike të Tehernait në Damask të Sirisë e provokoi situatën para shpërthimit të një lufte totale në Lindje të Mesme. Irani në shenj hakmarrje ndërmori një atak ajroror deri në 300 raketa kundër Izraelit, por të cilat asnjëra nuk e arriti cakun falë mbrojtjes kundër raketore izraelite dhe asistencës së vendeve perëndimore.

Sidoqoftë, vrasja e Ismail Haniyeh, e njërës prej figurave kryesore të Hamasit është e një natyre krejt tjetër. Jo pse ai ishte kryenegociatori kryesor gjatë negociatave që po zhvilloheshin me qëllim një sigurimin e një armëpushimi në rripin e Gazës, me ndërmjetësimin e  SHBA-ve, Katarit dhe Republikës Turke, por se ajo ndodhi në një kontekst tejet delikat për shtetin e Iranit. Fillimisht ai ishte si ftuar me rastin e inaugurimit të presidentit të ri të këtij shteti, Masoud Pezeshkian, i cili e pason ish-presidentin e ndjerë Ebrahim Raisi, i cili vdiq  si pasojë e rrëzimit të helikopterit presidencial. Ngjarje kjo që i shtuar dyshimet se edhe ky incident nuk ishte i rastësishëm.

Kurse vrasja e  Ismail Haniyeh, si mysafir nderi, si dhe pak çaste pasi ishte takuar me liderin suprem të Iranit, Ali Khamenei, e kompremton tej mase imazhin e këtij shteti në rajon. Sepse, kushdo që e ka orkestruar këtë atentat, në mënyrë kaq precize, e ka pasur për qëllim edhe rrënimin e autoritetit të këtij shteti, si strehë e sigurt për aleatët e saj. Ngase Ismail Haniyeh, siç dihet pjesën më të madhe të kohës qëndronte ne Doha. Dhe po të ishte synim vetëm eliminimi i tij, pa këto implikime tjera politike rajonale, mbase ky akt  ka mundur të bëhet edhe në kryeqendrën e Katarit. Por me këtë strategji shihet qartë se motivi ka qenë që t’i tregohet audiencës globale se Irani nuk ka kapacitete t’i mbroje as asetet e tij më të çmuara politike, madje as në kryeqendrën e tij. Aq me tepër që ai ishte pjesë e një  e 110 anëtarëve të delegacioneve të huaja që po konsiderohen si “Aksi i Rezistencës”.

Me këtë rast, Irani ndodhet në një situatë pa shtegdalje. Ose t’i pranojë dobësitë e tij te brendshme strukturore, por duke tentuar ta mbulojë këtë fakt, vetëm më një retorike të zbrazët agresive e hakmarrëse, ose të ndërmarr veprime për ta kompensuar përuljen,  sikur së në rastin e sulmit të mëhershëm kundër Izrealit, pro pa e arritur cakun. Sepse është i vetëdijshëm se një aventurë e tillë mund të kthehej në bumerang. Një gjë të tillë e bëri të qartë edhe Sekretari i Mbrojtjes së SHBA-së, Lloyd Austin, kur deklaroi se nëse shteti i Izraelit sulmohet, Amerika do ta mbrojë pa asnjë kusht.

Nuk ka dyshim se ky atentat do ta vështirësojë edhe pozitën e presidentit të sapo zgjedhur të këtij shteti, Masud Pezeshkian, i cili në dallim nga krahu konservator i Republikës Islamike, kishte mbajtur një qëndrim me të moderuar,  duke qene i hapur për bisedime me Perëndimin dhe duke i kundërshtuar brohoritjet kundër vendeve të tjera, përfshirë kundër Shteteve të Bashkuara. Mirëpo, era e trazuar e historisë shpesh herë i rrëmben edhe liderët, sepse siç thotë një fjalë, “shpeshherë luftërat kane filluar edhe nëse liderët nuk i kane dashur ato, sepse nuk kane pasur tjetër zgjidhje”./TV Arbëria

Powered by WordPress