Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Bota > ​Irani ekzekutoi ish-zëvendësministrin e Mbrojtjes me shtetësi britaniko-iraniane

​Irani ekzekutoi ish-zëvendësministrin e Mbrojtjes me shtetësi britaniko-iraniane

Ish-zëvendësministri iranian i Mbrojtjes, me shtetësi britaniko-iraniane, Alireza Akbari, i cili ishte dënuar me vdekje në Iran, është ekzekutuar, raportoi media shtetërore iraniane.

Familjes së Akbarit iu kërkua të shkonte në burgun e tij për një “vizitë të fundit” të mërkurën dhe gruaja e tij tha se ai ishte transferuar në izolim.

Ish-zëvendësministri iranian i mbrojtjes u arrestua në vitin 2019 dhe u dënua për spiunazh për Britaninë e Madhe, të cilën ai e mohoi.

Britania e Madhe i kishte kërkuar Iranit të ndalonte ekzekutimin dhe ta lironte menjëherë.

“Ky është një akt i motivuar politikisht nga një regjim barbar që ka shpërfillje totale për jetën njerëzore”, shkroi Sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar James Cleverly të mërkurën në Tëitter.

Shtetet e Bashkuara iu bashkuan thirrjeve që Irani të mos ekzekutonte Akbarin.

Media zyrtare e gjyqësorit iranian “Mizan” raportoi gjithashtu se Alireza Akbari ishte varur, pa dhënë një datë të saktë se kur ishte ekzekutuar.

Irani postoi një video të zotit Akbari këtë javë duke treguar atë që dukej të ishte rrëfim i detyruar.

BBC transmetoi një mesazh audio të mërkurën nga Akbari në të cilin ai tha se ishte torturuar dhe detyruar të rrëfente në kamera për krimet që nuk i kishte kryer.

Në mesazhin audio të Akbarit, ai tha se ai jetonte jashtë disa vite më parë kur ishte i ftuar të vizitonte Iranin me kërkesë të një diplomati të lartë iranian i cili ishte i përfshirë në bisedimet bërthamore me fuqitë botërore.

Pasi kishte shkuar atje, rrëfente ai, Akbar u akuzua se kishte marrë informacione të klaisifikuara si “top sekrete” nga sekretari i Këshillit të Lartë të Sigurisë Kombëtare të Iranit, Ali Shamkhani, “në këmbim të një shishe parfumi dhe një këmishe”.

Akbari tha se ishte “marrë në pyetje dhe torturuar” nga agjentët e inteligjencës “për më shumë se 3,500 orë”.

Ai gjithashtu akuzoi Iranin se kërkon “të hakmerret ndaj Britanisë së Madhe duke më ekzekutuar mua”.

Disa orë pas transmetimit të mesazhit audio, agjencia e lajmeve Mizan konfirmoi për herë të parë se Akbari ishte shpallur fajtor për spiunazh dhe se Gjykata e Lartë e kishte refuzuar apelin e tij.

Marrëdhëniet midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Iranit janë përkeqësuar muajt e fundit që kur Mbretëria e Bashkuar vendosi sanksione ndaj policisë morale të Iranit dhe figurave të tjera të larta të sigurisë, pas sjelljes së këtyre të fundit ndaj ndaj protestuesve antiqeveritarë.

Irani ka arrestuar dhjetëra iranianë me shtetësi të dyfishtë ose me rezidencë të përhershme të huaj në vitet e fundit, kryesisht me akuza për spiunazh dhe siguri kombëtare. /TV Arbëria

Themes by WordPress