Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > IPK rekomandon suspendimin e Riza Muratit, kapitenit të Policisë të dyshuar për dhunë në familje

IPK rekomandon suspendimin e Riza Muratit, kapitenit të Policisë të dyshuar për dhunë në familje

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e kapitenit policor Riza Murati, i cili është shef i Sektorit qendror për hetimin e trafikimit me njerëz.

IPK ka thënë se rekomandimi është bërë bazuar në autorizimet ligjore të këtij institucioni, së pasi që kapiteni policor është i dyshuar për veprën penale “Dhunë në familje”.

Nga një raport i kallxo.com,  Murati ka një vendim që ia ndalon t’i afrohet bashkëshortes së tij L.M. prej 50 metrash në vende publike dhe 100 metra në vendbanimin e së njëjtës.

Gjithashtu atij i ndalohet që të komunikojë me L.M., në mënyrë të drejtëpërdrejtë, përmes personave të tretë, ta shqetësojë, manipulojë, ofendojë bashkëshorten e tij.

KALLXO.com ka siguruar vendimin që ka lëshuar Gjykata e Prishtinës për L.M., e cila më 12.03.2024 përmes Zyrës për Mbrojtjen dhe Ndihmë të Viktimave ka kërkuar urdhër mbrojtje.

Kjo për faktin se e njëjta e ka raportuar Riza Muratin për dhunë në familje, dhunë psikike, madje edhe fizike në të kaluarën.

Siç është njoftuar, hetuesit e IPK-së janë në komunikim të vazhdueshëm lidhur me këtë rast me Prokurorinë Themelore në Mitrovicë të cilës i janë përcjellë raporte dhe deklarata lidhur me veprimet hetimore.

IPK tha se në kuadër të veprimeve hetimore, sipas procedurave të parapara ka njoftuar edhe mbrojtësin e viktimave të cilët kanë parashtruar kërkesën për Urdhër Mbrojtës në gjykatën kompetente.

“Duke marrë për bazë dyshimin për veprën penale në hetimin e këtij rasti, bazuar në autorizimet ligjore të IPK-së, është rekomanduar suspendimi i kapitenit policor” – theksohet tutje.

IPK tha se veprimet tjera hetimore do të ndërmerren nga hetuesit e IPK-së në koordinim të plotë me Prokurorinë e Shtetit.

/TV Arbëria