Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > IPK rekomandon suspendimin e një zyrtari policor pas dyshimeve për tejkalim të autorizimeve në Kaçanik

IPK rekomandon suspendimin e një zyrtari policor pas dyshimeve për tejkalim të autorizimeve në Kaçanik

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka rekomanduar suspendimin e një zyrtari policor nën dyshimin se ka tejkaluar autorizimet gjatë arrestimit të një personi të dyshuar pas një incidenti të ndodhur në Kaçanik.

Sipas njoftimit të IPK-së, hetuesit e Departamentit të Hetimeve kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë nisur veprimet hetimore, pasi ekziston dyshimi se zyrtari policor ka përdorur forcë në mënyrë të paarsyeshme dhe të paligjshme gjatë arrestimit.

“Hetimet janë duke u zhvilluar në drejtim të veprës penale ‘Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike’, kurse pas konsultave me prokurorinë, rasti do të trajtohet në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftimin e IPK-së.

Bazuar në autorizimet ligjore dhe në interes të hetimit, IPK ka rekomanduar suspendimin e përkohshëm të zyrtarit policor derisa të sqarohen të gjitha rrethanat e rastit. Hetuesit janë në koordinim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës dhe pritet që të ndërmerren edhe veprime të tjera për të ndriçuar plotësisht incidentin.