Bashkimi Evropian në Kosovë, KEDS-i dhe Elektrosever shënuan sot në Mitrovicën e Veriut përfundimin e projektit prej 3.3 milionë eurosh, të financuar nga BE-ja për furnizimin me njehsorë inteligjentë të energjisë elektrike për katër komunat veriore.
Projekti i financuar nga BE-ja mbështeti drejtpërdrejt zbatimin e Udhërrëfyesit për Zbatimin e Marrëveshjeve për Energjinë, të dakorduar nga Kosova e Serbia në vitin 2022 në kuadër të dialogut.
Njehsorët inteligjentë janë pajisje elektronike që dallojnë nga njehsorët tradicionalë për nga forma e leximit dhe qasjes në këto pajisje. Ata mund të bëjnë leximin e energjisë elektrike nga distanca, duke shpërndarë të dhënat e gjeneruara te konsumatori dhe kompania në të njëjtën kohë.