Intervistë
NË KOHËN KUR PARALUFTËS SERBIA VAZHDONTE ME ZHDUKJEN DHE DËBIMIN HISTORIK TË SHQIPTARËVE EDHE NGA KOSOVA, NAIM TËRNAVA E THOSHTE HAPUR SE «NE E KEMI KUSHTETUTEN”, E AJO ËSHTË KURANI
Melihate Tërmkolli, ke qenë anëtare e Kryesisë së LDK-së qysh herët dhe aktiviste e dëshmuar e kësaj partie që nga fillimi…A mund të na e përshkruani gjendjen e asaj kohe, dhe të na flisni për raportin e partisë me religjionet në Kosovë?
Melihate Tërmkolli: Kam qenë anëtare e Këshillit të Përgjithshëm të LDK dhe sekretare e nënkryetare e Forumit të Gruas të LDK. Në kryesi kam qenë më vonë. Siç dihet LDK u themelua nga elita intelektuale kulturore e shqiptarëve në krye me Ibrahim Rugovën, si sublimim i vlerave më të larta politike e kombëtare dhe luftës qindvjeçare për liri e pavarësi që nga Kongresi i Berlinit, si vazhdimësi me Lidhjen e Prizrenit e këndej. Qëllimi themelor ishte liria dhe pavarësia e Kosovës, pra çlirimi nga okupimi serb dhe njëkohësisht edhe ndërtimi i një kulture politike perëndimore demokratike kundër komunizmit si instrument, sistem dhe mjet politik i Serbisë për realizimin e qëllimeve të saj shoveniste e ekspansioniste anti shqiptare të rrënjosura në elaboratet dhe planet e tyre për shfarosje dhe dëbim të shqiptarëve nga vendi i tyre. Pra fokusi ynë ishte çlirimi nga Serbia, e jo çështja e feve, islamizmi jo se jo edhe për faktin se pikërisht kjo ishte pika ku Serbia investonte shumë për ta përdorë kundër shqiptarëve. Në fakt, në këtë periudhë, shqiptarët qofshin të krishterë apo të fesë islame në Kosovë, në përgjithësi ishin në funksion të realizimit të interesave kombëtare. Edhe Islami ishte i moderuar dhe praktikohej si besim fetar dhe çështje shpirtërore personale e familjare, pa ngjyrime politike. Parimi ynë ishte respektimi i të gjitha feve pa dallim, në shërbim të interesit kombëtar. Ne rrezikoheshim nga Serbia si komb e si vend, jo si fe. Kultura dhe rezistenca jonë politike dhe e armatosur u ndërtua mbi baza kombëtare e jo mbi ato fetare, anipse tendencat për t’i dhënë luftës e politikës tonë ngjyrim fetar islamik ishin prezente.
Lufta jonë ishte për komb, shtet e atdhe, jo për fe.
Në kohën kur u themelua LDK-ja, në fund të viteve të ’90-ta, segregacioni dhe apartheidi në shkollat fillore dhe të mesme të Kosovës ishte i madh dhe dhuna ishte e përditshme, por në atë kohë Medreseja Alaudin nuk e përjetonte dhunën e Serbisë, apo jo? Pse?
Melihate Tërmkolli: Po, madje LDK e mbajti edhe një kuvend aty, sepse ishte i vetmi objekt që nuk ishte uzurpuar nga organet e dhunshme okupatore të Serbisë dhe i vetmi institucion “arsimor” që ishte lejuar nga Serbia të punonte pa pengesa. Punonjësit aty, sipas të dhënave jozyrtare, kishin paga të larta deri në 1000 marka gjermane, përderisa për mësuesit që punonin në shtëpitë shkolla e filluam me pagën 20 marka deri në 100 marka. Kjo ndodhte sepse , siç dihet, Serbinë gjithmonë e ka penguar arsimimi shkencor i shqiptarëve njësoj si edhe Perandorinë Otomane, ndërkohë që ishin të interesuar madje edhe paguanin për orientim të shqiptarëve kah feja, kryesisht dhe ekskluzivisht kah feja islame për qëllimet e tyre.
Së pari, kjo bëhej që shqiptarët ta zvetnojnë deri në humbje identitetin e tyre kombëtar dhe , së dyti, që para botës, para Europës në veçanti, Serbia ta paraqiste Kosovën dhe shqiptarët si myslimanë radikalë e rrjedhimisht si popull i rrezikshëm për civilizimin perëndimor, me çka pretendonte të fitonte alibinë e shfarosjes së shqiptarëve, pa frikën e ndonjë reagimi serioz nga Perëndimi. Krejt kjo ishte pjesë e zbatimit të elaborateve të kahmotshme serbe kundër shqiptarëve, që nga Garashanini e deri te ASSHA.
Naim Tërnava me Ali Eshbar nga Diyaneti i Turqisë , duke i mbikqyrur punimet e xhamisë stërmadhe – neootomane në Prishtinë…!
A të kujtohet se Bashkësia Islame e Kosovës, BIK-u, disa vite më vonë u shndërrua në qendër “alternative” e politikës së vendit, vend ku mbaheshin mbledhje dhe konferenca të ndryshme. Akademiku Rexhep Qosja ishte pjesë e këtij angazhimi tjetër politik. Athua pse? A mos fotot e Papa Gjon Palit të Dytë në zyret e asaj që quhet Shtëpia e Pavarësisë, ku e kishte selinë Ibrahim Rugova, udhëheqësi i LDK-së dhe shtetit të ardhshëm të Kosovës, pati ndikuar në këtë paralelizëm që të shkohej “aty ku ishte populli”…?
Melihate Tërmkolli: Së pari, populli ishte te, e me Ibrahim Rugovën. Por, qysh atëherë dikush bënte matematika e plane tjera, që shkonin në favor e në interes të Serbisë. Shumica e shqiptarëve ishte e orientuar kah perëndimi, aty ku e kishim vendin dhe në interes të kombit, por disa po bënin punën e djallit. Të tillë kishte edhe në mesin e intelektualëve, si puna e Rexhep Qosjes. Rexhep Qosja dhe bashkëmendimtarët e tij është parë që atëherë , e më tepër është vërtetuar nga polemikat e tij më vonë me Kadarenë, se është përkrahës madje edhe përfaqësues i vetëshpallur i identitetit myslaiman/islamik të shqiptarëve, për dallim nga shumica dhe e vërteta historike se shqiptarët i përkasin identitetit dhe civilizimit evropian, madje janë në rrënjë të këtij civilizimi, siç po vërtetohet edhe sot përditë e më shumë. Qosja, urrejtjen patologjike ndaj Rugovës si njeri, si intelektual dhe si politikan me taban kombëtar shqiptar e perëndimor, si lider që pas shumë shekujsh ndarje e mesjete e lidhi Kosovën e shqiptarët me perëndimin, Qosja e manifestoi edhe në këtë mënyrë për t’i dhënë Kosovës imazhin ashtu siç e donte Serbia dhe siç ajo punoi për të për më shumë se një shekull. Është për t’u analizuar më thellë, nëse Qosja e bëri këtë shpërfaqje kundër Rugovës si qëllim në vete. Sigurisht që jo!
Sidoqoftë, LDK-ja në atë kohë ishte masovike, pothuaj i gjithë populli ishte pjesë e saj andaj përkundër lojërave e intrigave të tilla, qendra ishte aty ku Rugova i mbante konferencat e tij javore të shtypit, ku tregohej për opinionin e brendshëm e të jashtëm për dhunën që e ushtronte Serbia gjithandej Kosovës. A afrohej me juve kreu i BIK-ut në atë kohë?
Melihate Tërmkolli: BIK-u në krye me Rexhep Bojen, as ofrohej më shumë se që duhej as vepronte jashtë projektit kombëtar. Ruante një status normal, me ndihmesa të herëpashershme kur e kërkonte nevoja si kontributi në pajtimin e gjaqeve, aty këtu ndihmë familjeve në nevoje etj. Herë – herë edhe objektet fetare, xhamiat kryesisht por edhe kishat, ishin vend ku mbanim ndonjë tubim politik, pa asnjë pengesë dhe pa shpërfaqje të ndonjë tendence radikale fetare.
Tërnava në ceremoninë e varrimit për nënen e Erdoganit në Turqi
Në një intervistë për emisionin shou të Besim Dinës, ti rrëfeve se si në një mbledhje që e udhëhiqje, e ku ishte i pranishëm edhe njeriu më me ndikim në BIK Naim Tërnava, ai kishte thënë se “Kosova e ka Kushtetuten e saj, e ajo asht Kurani”…! Cila qe përgjigja yte ndaj tij në atë deklaratë paniislamike të tij, që e ka shpaluar qysh herët “platformën e shtetit të ardhshëm islamik”?
Melihate Tërmkolli: Ka qenë ndër rastet e rralla në atë kohë që një person si Naim Tërnava që në atë kohë nuk ishte në krye të BIK-ut por nëse nuk gaboj ishte drejtor i Medreses Alaudin, në një takim politik me qytetarë në Lismir të Fushë Kosovës, të ketë një shpërfaqje të arrogancës fetare radikale deri në atë masë sa të mohojë Kosovën shtet, Kushtetutën e saj, luftën e rezistencën tonë për liri e shtet dhe tërë këtë ta kthejë në një kërkesë dhe në një veprim antishqiptar për qëllime të Serbisë. Ai në atë takim kur e mori fjalën, i paraqiti 14 a 17 pika ndër të cilat e para, po e parafrazoj, “Kosova ka Kuranin kushtetutë të veten, nuk ka nevojë për Kushtetutë të Kaçanikut, se feja islame duhet të futet në shkolla, se shoqëria e shteti duhet të punojë me rregulla të sheriatit” etj, etj. Qytetarët prezentë aty u shtangën, ndërsa unë po vloja dhe në një moment ia ndërpreva fjalën, duke iu drejtuar se ne po luftojmë për ekzistencë njerëzore e kombëtare, për liri e shtet me bazë në Kushtetutën e Kaçanikut, se jemi në rrezik të shfarosjes nga Serbia ndërsa ti flet dokrra këtu, pastaj në atë situatë ia hodha karrikën hundëve (e gjuajta me karrikë), u bë njëfarë tollovie, ai doli nga klasa, ne vazhduam mbledhjen me qytetarët e trishtuar nga ajo çka dëgjuan dhe një keqardhje e tyre që u dasht të konfrontohem me të në atë mënyrë. Shfaqja e tij ishte shenjë shumë e rëndë dhe serioze për ne si aktivistë e si qytetarë se një rrymë radikale islamike veçse po fuste hundët në rrënimin e shtetit të pavarur, që në zanafillë të tij.
Paslufta rodhi si rodhi…Ibrahim Rugova me kulturën e lartë të tij u gjend i vetmuar dhe rrethuar nga të gjitha anët “prej politikës së re” të atyre që thoshin se e kanë çliruar vendin. Milazim Krasniqi që për vite ishte i afërt me Rugovën, u afrua me PDK-ën dhe e mori anën e islamit politik-neootoman, rrugë që e mori edhe PDK-ja në vazhdim…Edhe Mehmet Kraja, në një mënyrë u bë kundërshtar i tij. Sigurisht të kujtohej kundërtshtimi i tij ndaj ndërtimit të Katedrales “Nëna Tereze”, për ndërtimin e së cilës këmbëngulte Ibrahim Rugova…?
Melihate Tërmkolli: Edhe Mehmet Kraja, edhe Milazim Krasniqi por edhe Nexhat Daci e Hivzi Islami e të tjerë edhe nga Akademia, me të mbaruar lufta, pra çlirimi nga okupimi serb, u bënë përnjëherë fetarë islamikë! Ata e dinë si e pse! Por dëmet ishin dhe janë të mëdha si për kulturën ashtu edhe për identitetin kombëtar shqiptar e sigurisht edhe për shtetin. Natyrisht nuk mund të mohohet kontributi i tyre për shkencën e kulturën shqiptare, por në këtë pikë dolën në anën e kundërt të historisë, në linjë me Rexhep Qosjen, duke ditur se këtu nuk ishte në pyetje fati i Ibrahim Rugovës, por fati i Kosovës ose thënë më saktë ishin të ndërlidhura të dyja bashkë. Në fakt, ky ishte koncepti sllavo-komunist ose serbo-komunist për Kosovën e shqiptarët, pra linja e politikës lindore në krye me Rusinë, nga i cili koncept këta e tjerë të këtij soji, nuk dolën dhe nuk u shkëputën kurrë. Sido qoftë, Katedralja u bë, më shumë si shenjë e kulturës dhe rrënjëve shqiptare të civilizimit evropian-perëndimor se sa thjesht një objekt fetar.
Nuk më ka zënë syri a dëgjuar veshi, qoftë edhe një fjalë kundërshtimi të tyre për Kishën Ortodokse Serbe, të ndërtuar në kohë okupimi në oborrin e Universitetit të Prishtinës! Kisha përshtypjen se Rugova mbeti i vetmuar në ruajtjen e kulturës dhe historisë kombëtare…A ishte kjo e vërtetë?
Melihate Tërmkolli: Po, në maratonën e lirisë e pavarësisë, disa u lodhën menjëherë, disa mbetën mes rrugës e disa humbën edhe në finale të saj. Nuk po e duronin dot luftën, qëndresën e rezistencën e Rugovës me krejt popullin për liri dhe sidomos nuk po e duronin kokëfortësinë e tij “veç pavarësi”. Po punonte Serbia shumë që nëse jo të tërën, të ç‘nukte nga Kosova sa më shumë që mundet. Shumë nga njerëzit rreth e afër Rugovës u bënë mashë e interesave jashtë LDK-ës, partive e rrymave të ndryshme përfshirë edhe islamin radikal, duke e lënduar thellë LDK-ën rugoviane, perëndimore, mbi të gjitha LDK-ën kombëtare shqiptare-dardane.
Me Rugovën mbetën bashkëmendimtarë të sinqertë që punuan pa ndalë e të cilët e deshtën Kosovën-Dardaninë e shqiptarinë më shumë se gjithçka tjetër.
Nuk vonoj shumë dhe edhe LDK-ja, partia që më shumë ishte e lidhur me kulturën kombëtare, sëbashku me PDK-ën, ia vunë themelet “islamit politik” të Kosovës. Kështu pahetueshëm depërtoj edhe fjalori i “Vëllazërisë Myslimane” që nisi të shqiptohej edhe nga politikan si Isa Mustafa i LDK-së, Lutfi Haziri etj. Isa Mustafa fliste për “shumicën myslimane” dhe brengosej për pabarazinë e saj “me pakicën që i është ndërtuar katedralja”, njësoj si politikani, diplomati dhe udhëheqësi neootoman turk, Ahmet Davutogllu?!
Melihate Tërmkolli: E nisën edhe formalisht me “haxhillëk” disa kryetarë të komunave në krye me Lutfi Hazirin, përgjegjësin kryesorë të legjitimimit të ndarjes së brendshme të Kosovës mbi baza etnike (decentralizimi!) e kulmoi me Isa Mustafen e Lumir Abdixhikun. Ambasada iraniane dhe element turko-arabë në Beograd kishte bërë punën e vet gjatë gjithë dhjetë vjeçarit të luftës e rezistencës sonë për liri e shtet pa ndonjë sukses të dukshëm. Pas luftës u hapën portat e mëdha të financimit përmes OJQ-ve në emër të ndihmave për Kosovën dhe kjo shkoi duke u thelluar për t’u shpërfaqë në mënyrë të tmerrshme në luftën e Sirisë, ku shqiptarët e Kosovës kishin numrin më të madh të luftëtarëve të ISIS për numër të banorëve, më shumë se çdo vend tjetër, qofshin edhe nga vendet islamike. Ky ishte alarmi më i madh për Kosovën, politika e së cilës nuk po jepte pesë para për këtë fenomen të shndërruar në dukuri dhe rrezik anti shqiptar sepse për interesa të ulëta e meskine, kjo klasë politike ishte në themele dhe në shërbim të këtij invazioni islamik. Shkoi deri aty sa Hashim Thaqi ta quante Erdoganin vëlla dhe ai Hashimin vëlla. Pra u krijua njëfarë “vëllazërie myslimane” siç e quani edhe ju. Shkoi puna deri aty, sa Erdogan të deklaronte se Kosova është Turqi, etj, etj. Kjo pastaj vazhdoi me shërbëtorin e politikave të Millosheviqit, Isa Mustafën i cili si Kryetar i Prishtinës dhe mandej edhe Kryetar i LDK-ës, do të deklaronte se 95% në Kosovë janë myslimanë, duke shërbyer në forma të ndryshme në çështjen e xhamisë më të madhe që po ndërtohet në Prishtinë, si më e madhja në Ballkan. E ngatërronte qëllimshëm përqindjen e myslimanëve me shqiptarë, për të kryer detyrat që i shkonin në favor veç Serbisë. Dhe së fundi njeriu që u shkollua politikisht nga neo-jugosllavi Veton Surroi, i brumosur me idetë e Isa Mustafës dhe eksponent kryesorë i anti shqiptarit Soros për Kosovë, Lumir Abdixhiku, veç tjerash do ta fillojë “doktoraturën” e tij me “bismilah” në shqip!
Tash bazën dhe themelet e xhamizimit-islamizimit të Kosovës, po i shpije përpara Lëvizja VV dhe Albin Kurti. Në një fjalim që e mbajti në një përvjetor të Medresës Alaudin, ai pati folur “si imam” aty, duke thënë se “të ishe mysliman, ishte si ta mbaje gacën në dorë”. Si është e mundur kur pararendësen e Medresës së sotshme “Alaudin”, në vitin 1949 pati urdhëruar që hapej nga vet Aleksander Rankoviq dhe ajo u hap në vitin shkollor 1951, mu në kohën kur nuk lejohej asnjë shkollë e plotë fillore dhe e mesme në gjuhën shqipe në Kosovë mu nga politika e Rankoviqit dhe atë mu në kohën kur përgatitej Aksioni për Mbledhjen e Armëve nga shqiptarët, si formë e hapur presioni e zullumi për tu shpërngulur në Turqi?!
Melihate Tërmkolli: Albini po i vë kulmin kësaj të keqeje. Duke shfaqur qëndrime anti-amerikane, njëkohësisht e ka ushqyer për kohë të gjatë edhe islamizmin politik radikal te shqiptarët. Shpërfaqjet neo-otomane e neo-jugosllave nuk kanë qenë kurrë më të ekspozuara se sa në këtë periudhë qeverisjeje dhe si asnjëherë më prezente e më aktive se tani, në institucione e në jetën publike në Kosovë.
E gjithë klasa politike, shumë prej tyre me mendësi neo-otomane e neo-jugosllave e dinë qartë se ky ekspansion fetar islamik nuk bëhet as për çështje feje e besimi fetar dhe as për shqiptari. Qëllimi është sulmi direkt në identitetin kombëtar duke e tëhuajsuar traditën e kulturën shqiptare me atë turko-arabe dhe sulm në shtet e institucionet e tij në përpjekje për t’i dhënë shtetit laik, karakterin e shtetit fetar islamik.
A je në dijeni se komuna që pothuaj rregullisht udhëhiqeshin nga LDK prej pasluftës, sikurse Vushtrrija, Istogu, Peja etj, janë ndër më të islamizuarat? Pse? Për arsye se këta që i udhëhoqnin ishin rugovistë të rrejshëm apo?
Melihate Tërmkolli: Këta nuk ishin rugovistë të rrejshëm, këta nuk ishin kurrë rugovistë por vetëm shërbëtorë në favor të interesave të huaja serbo-turko-arabe. Jo veç për vota!
Prishtinë, 10 prill, 2026
Intervistoi: Gjergj – Bajram Kabashi


