Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Bota > Instituti Konfuci i Kinës tërheq studentët në Afrikën e Jugut

Instituti Konfuci i Kinës tërheq studentët në Afrikën e Jugut

Institutet Konfuci të Kinës japin mësime të gjuhës kineze në mbarë botën, por gjuha nuk është e vetmja gjë që ato ofrojnë. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Kate Bartlett vizitoi një qendër të re, që ndodhet qindra kilometra jashtë kryeqytetit, në zonat rurale të Afrikës së Jugut dhe që fokusohet edhe tek teknologjia e gjelbër.

Këta studentë afrikano-jugorë po mësojnë diçka të re.

“Të mësosh gjuhën kineze është diçka e mrekullueshme”, thotë një nga studentët e klasës së gjuhës kineze, Tshililo Khwathisi.

Në Universitetin e Vendës ofrohet mësimi i dialektit Mandarin. Është një nga qindra Institutet Konfuci të hapur nga Kina në mbarë botën, rreth 60 prej të cilëve janë në Afrikë.

Por ky Institut që u hap në fillim të këtij viti, është paksa i ndryshëm nga ata në Johanesburg dhe Cape Town.

Universiteti i Vendës ndodhet në një zonë të largët rurale.

“Në Institutin Konfuci të Teknologjisë së Gjelbër – së pari ne përqendrohemi tek mësimdhënia e gjuhës kineze dhe më pas do të kombinojmë të mësuarin e gjuhës me teknologjinë e gjelbër. Kështu që kur të mësojnë gjuhën në mënyrë të rrjedhshme, ata mund të shkojnë në Kinë për të studiuar më tej, për të fituar më shumë njohuri rreth teknologjisë së gjelbër”, thotë mësuesja Zhang Duo.

Për të ngritur institutin, Universiteti i Vendës bashkëpunoi me Universitetin Hubei të Teknologjisë në Kinë, thotë Thabo Dikgale i Universitetit të Vendës.

“Qeveria kineze po kontribuon shumë në këtë iniciativë.”

Përmes Institutit Konfuci, Kina përhap ndikimin e saj strategjik në vende të tjera, thotë analisti për çështjet e Kinës, Paul Nantulya.

“Këto përpjekje përputhen me përparësitë e vendeve ku ato bëhen, kështu që bëhet fjalë për shumë më tepër se për thjesht mësimin e gjuhës. Pra këtu, Afrika e Jugut është në një krizë energjie dhe Kina po përpiqet të japë një zgjidhje, që ka të bëjë me zhvillimin e teknologjisë së gjelbër, për të parë se si të krijohen kapacitetet në këtë fushë, që është një nga përparësitë strategjike të qeverisë së Afrikës së Jugut.”

Por në shumë vende perëndimore, Institutet Konfuci shihen si instrumente propagande. Vitet e fundit, shumica e universiteteve amerikane ka mbyllur degët e Institutit Konfuci.

Instituti është mbyllur gjithashtu edhe në disa vende evropiane. Mes shqetësimeve të përmendura janë ato për ndërhyrjen e instituteve në liritë akademike dhe madje edhe autocensura e mësuesve kinezë për tema politike tabu. Por universitetet e Afrikës së Jugut nuk janë të shqetësuara.

Prof. Dikgale thotë se studentët i marrin vetë vendimet e tyre.

“Ata kanë mendimet e tyre të pavarura rreth politikës dhe asaj që ndodh globalisht. Ne përpiqemi t’i ekspozojmë ata ndaj botëkuptimeve të ndryshme, që ata të vendosin vetë për çka është e drejtë në politikë apo fusha të tjera”, thotë ai.

Kina është partneri më i madh tregtar i Afrikës së Jugut dhe studentët shpresojnë që aftësitë në gjuhën kineze t’u japin atyre një avantazh në tregun e punës.

“Unë po studioj për marrëdhënie ndërkombëtare dhe gjuha kineze është një nga gjuhët e OKB-së, pra është shumë e nevojshme atje”, thotë Tshililo Khwathisi.

Duke pasur parasysh papunësinë e lartë në vend, shumë nga studentët e ndajnë mendimin e tij. Rreth treqind studentë janë regjistruar tashmë në klasat e gjuhës kineze.

Powered by WordPress