Osman Voci i ftuar në emisionin “N’Pult” me Resim Morina në TV Arbëria ka komentuar situatën politike në vend.
Ai, duke folur për bllokadën politike, ka thënë se është e befasueshme se çfarë po ndodh.
Voci potencon se politikanët po veprojnë sipas interesave personale.
Ai deklaron se kjo nuk ka ndodhur asnjëherë në skenën politike në Kosovë.
“Kjo që po ndodh në institucionet e Kosovës tash e pesë muaj, vërtet e befasueshme, për mos me thënë e turpshme.
Deputetët e zgjedhur nga ky popull sot manovrojnë dhe luajnë me këtë popull. Argumenti i vetëm që këtu ekziston janë interesat personale të politikanëve tanë që janë sot të zgjedhur në parlament. Nga 100 deputetë shqiptarë, nuk janë në gjendje të ulen dhe të merren vesh. Secili nga ta, përqindja e përgjegjësisë u takon të gjithëve.
Kjo nuk ka ndodhur asnjëherë që pas luftës, as në qeverinë e Kosovës, as në Parlamentin e Kosovës”.
Voci thotë se Vetëvendosja, para se të vinte në pushtet, çdo gjë e ka parë të zezë, ndërsa pasi erdhi në pushtet, ai thotë se i ka uzurpuar të gjitha institucionet.
“Partia në pushtet, Vetëvendosja, edhe pse e ka fituar shumicën, dihet si kanë ardhur në pushtet. Që nga fillimi kanë ardhur me protesta, me deklarata kundër liderëve politikë, kundër qeverisë, kundër presidentit, çdo gjë për ta ka qenë e zezë. Derisa kanë ardhur në pushtet, e kanë parë Kosovën në formë jo të mirë. Këta nuk e kanë njohur shtetin e Kosovës. Kur Kosova më 2008 u shpall e pavarur, këta njerëz nuk e kanë respektuar himnin e Kosovës, nuk e kanë respektuar flamurin e Kosovës.
Ishin kundër gjatë luftës së UÇK-së, ishin kundër Rambujesë, ishin kundër pas Rambujesë, ishin kundër derisa erdhën në pushtet. Tash, kur erdhën në pushtet, i kanë uzurpuar të gjitha institucionet”
Tutje, thotë se Vetëvendosja duhet t’i bëjë ofertë një partie tjetër për koalicion, në mënyrë që të dilet nga bllokada, por sipas tij, kjo po pengohet me qëllim.
“Vetëvendosja duhet të ulet dhe ta thërrasë një nga partitë politike – ‘urnoni e ndajmë pushtetin me përqindje sa kemi fituar dhe të ecim përpara’.
Por këta me qëllim po e pengojnë,” ka thënë Voci në emisionin “N’Pult”.