Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) përmes një njoftimi në Facebook ka thënë se sipas detyrës zyrtare (ex officio) ka filluar procesin e grumbullimit të informacioneve dhe hetimit preliminar lidhur me pretendimet për keqtrajtim nga zyrtarët policor që janë bërë publike sot(e shtune) në media të ndryshme dhe ka pasur një reagim nga shoqëria civile në Mitrovicën e Veriut.
Në njoftim të IPK-së thuhet se “Sipas raporteve zyrtare incidenti raportohet të ketë ndodhur sot pas mesnatës (pas orës 3) kur policia ka arrestuar dhe shoqëruar në stacionin policor një qytetar me inicialet M.S me dyshimin se i njëjti ka dëmtuar pronën e një dyqani privat në prezencë të zyrtarëve policorë”.
Pas shqiptimit të një tikete për kundërvajtje (sipas Ligjit për rendin dhe qetësinë publike) i njëjti është liruar.
IPK ka thënë gjithashtu se hetuesit e saj përmes një hetimi preliminar do të verifikojnë pretendimet për keqtrajtim të të njëjtit nga policia gjatë ndërmarrjes së veprimeve policore në këtë incident.