Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Inspektorati për rastin tragjik në Pejë: Viktima ishte vëllai i pronarit të shtëpisë, s’kishte qenë i angazhuar si punëtor

Inspektorati për rastin tragjik në Pejë: Viktima ishte vëllai i pronarit të shtëpisë, s’kishte qenë i angazhuar si punëtor

Inspektorati Qendror i Punës ka reaguar pas rastit në Graboc të Pejës, ku një person ka vdekur pasi ka rënë nga 3 metra lartësi. Policia tha se ai ka vdekur derisa ishte duke punuar në një shtëpi, mirëpo Inspektorati sqaron se rasti ka ndodhur në një shtëpi private, pronari i së cilës jeton jashtë vendit.

“Në lidhje me publikimet në disa media rreth një rasti të ndodhur më datë 09.12.2025 në një shtëpi private në fshatin Grabovc, Komuna e Pejës, ku është raportuar gabimisht se bëhet fjalë për “aksident në vend pune”, Inspektorati Qendror i Punës sqaron opinionin publik se: Bazuar në raportin zyrtar të inspektimit, është konstatuar se: Ngjarja ka ndodhur brenda një shtëpie private të një pronari i cili jeton jashtë vendit.”

Inspektorati shton se i ndjeri ka qenë vëllai i pronarit të shtëpisë dhe nuk ka qenë i angazhuar si punëtor.

“Personi i ndjerë, ka qenë vëllai i pronarit të shtëpisë, dhe nuk ka qenë i angazhuar si punëtor, por është gjetur i lënduar brenda objektit nga punëtorët e suvatimit të angazhuar vetëm për pjesën e jashtme të shtëpisë. Nga deklarimet e marra nga inspektorët dhe palët e pranishme (Policia) dhe nga kamerat e sigurisë, është vërtetuar se askush nga punëtorët nuk ka punuar në pjesën e brendshme të shtëpisë në momentin e ngjarjes. Inspektorati konstaton se nuk ekziston raport punëdhënës–punëmarrës, pasi i ndjeri nuk ka qenë punëtor dhe nuk kishte marrëdhënie pune sipas Ligjit Nr. 03/L-212 për Punën dhe Ligjit Nr. 04/L-161 për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë. Prandaj, rasti nuk lidhet me vendin e punës dhe nuk hyn në kategorinë e aksidenteve në punë sipas legjislacionit në fuqi.”