Një ditë e zakonshme pune në një kantier ndërtimi përfundoi në tragjedi.
Dy punëtorë humbën jetën pasi ranë nga një ndërtese në ndërtim.
Aksidenti ndodhi, të hënën e kaluar, në mëngjesin e hershëm në Gjakovë, në rrugën “Bardhyl Çaushi”.
Sipas Policisë, viktimat ishin meshkuj në moshë të mesme.
Hetimet janë në vazhdim dhe dy persona janë ndaluar si të dyshuar për rrethanat që lidhen me rastin.
Tragjedia ka nxitur reagime të shumta duke kritikuar edhe institucionet përkatëse për neglizhencë të trajtimit të punëtorëve.
Inspektorati i Punës dhe Sindikata e Sektorit Privat me shifra të ndryshme për numrin e vdekjeve në vendin e punës
Numri i personave që kanë humbur jetë nga fillimi i vitit deri më sot ka shkuar në 7.
Kështu ka bërë të ditur U.D i drejtorit ekzekutiv në Inspektoratin e Punës, Rizah Plakolli.
“Që nga janari deri me tani janë evidentuar 7 raste me fatalitet në vendin e punës”, u shpreh Plakolli.
Tutje, ai bëri të ditur se rastet me fatalitet në shumicën e rasteve kanë ndodhur në ndërtimtari.
“Numri më i madh i rasteve kane ndodhur në sektorin e ndërtimit”, potencoi ai.
Numri i vdekjeve të punëtorëve në vendin e punës është më i lartë se 7, thonë nga Sindikata e Sektorit Privat.
Ndryshe, nga Inspektorati i Punës, kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat, Jusuf Azemi thotë se nga fillimi i 2025-tes deri më sot janë shënuar 17 vdekje në vendin e punës.
“Që nga 1 janari deri më tani me dy vdekjet e fundit që ndodhën janë shënuar 17 vdekje në vendin e punës”, deklaroi Azemi.
Mbi 788 biznese të gjobitura këtë vit nga Inspektorati i Punës
Ushtruesi i detyrës së drejtorit ekzekutiv të Inspektoratit të Punës, Rizah Plakolli ka bërë të ditur se gjatë këtij viti janë gjobitur mbi 788 subjekte për shkelje të ligjit të punës.
Sipas tij, është vërejtur ulje e numrit të punëtorëve të padeklaruar.
“Gjatë këtij viti janë gjobitur mbi 788 subjekte. Gjate kësaj periudhe vërehet ulje e të punësuarve të padeklaruar”, përfundoi Plakolli.