Anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje po insistojnë që të hapet ura e Ibrit në Mitrovicë, dhe po dalin kundër deklaratave të QUINT-it dhe NATO-s të cilët nuk e pranojnë këtë vendim, në anën tjetër opozita po kërkon koordinim me aleatët, raporton TV Arbëria.
Në lidhje me këtë çështje, në një prononcim për TV Arbëria, ka folur deputeti i PDK-së Xhavit Haliti, i cili deklaroi se ura e Ibrit duhet të hapet patjetër, derisa shton se i kuptonë ata që duan të bëhen heronj pas luftës por uroj që mos të shëndrrohen në provokator.
“Ura e Ibrit duhet të hapet patjetër, sepse është persedan edhe mbyllja e saj, ashtu siç është persedan edhe ndarja e Mitrovicës administrativisht në dy pjesë. I kuptoj drejtë ata që duan të bëhen heronj pas luftës por uroj që mos të shëndrrohen në provokator të ngjarjeve të pa parashikueshme”, është shprehur ai.
Haliti potencon se rreziku i shpërthimit të veprimeve të organizuara nga Serbia, në një terren të përshtatshëm për justifikimin e përhershëm “mbrojtjen e serbëve” , është permanent, ata mund të na krijojnë situata për të cilat mund të detyrojnë edhe ndërkombëtarët ndërhyjnë.
“Rreziku i shpërthimit të veprimeve të organizuara nga Serbia, në një terren të përshtatshëm për justifikimin e përhershëm “mbrojtjen e serbëve” , është permanent, ata mund të na krijojnë situata për të cilat mund të detyrojnë edhe ndërkombëtarët ndërhyjnë edhe forcat e tyre, për të vendosur rregull e ligjshmëri.”
Sipas deputetit të PDK-së vendet e QUINT-it nuk janë kundër hapjes së urës së Ibrit për të garantuar lëvizjen e lirë të qytetarëve në të dy anët, por duan që të jemi të kujdesshëm që mos të përdorim dhunë.
“Mendoj që vendet e QUNTIT nuk janë kundër hapjes së urës së Ibrit, për të garantuar lëvizjen e lirë të qytetarëve në të dy anët, por duan që të jemi të kujdesshëm që mos të përdorim dhunë, të arrijmë marrëveshje të përbashkët. Ajo që do ishte e dëshirueshme është që marrëveshjet dhe raportet të krijohen në mes të qeverisë qendrore dhe komunës së Mitrovicës së Veriut e përfaqësuesve të komunave veriore”, theksoi Haliti.
Tutje, Haliti tha se Kosova nuk duhet të tregoj dhunë për të hapur urën pasiqë mund t’i kushtojë vendit, derisa potencon se masat mund të ashpërsohen, ku sipas vlerësimit të tij urtësia e arsyeshmëria e marrjes së vendimeve dhe zbatimi i tyre me mjete demokratike do jetë i pranueshëm për të gjithë.
“Pra, Kosova nuk duhet të tregoj dhëmbët e muskujt për të hapur urën. Përdorja e dhunës do i kushtoj shumë Kosovës. Masat mund të ashpërsohen, dhe autoriteti i institucioneve të Kosovës mund të barazohet me disa vende të cilat kanë regjime të dhunshme e jo demokratike. Mendoj që urtësia e arsyeshmëria e marrjes së vendimeve dhe zbatimi i tyre me mjete demokratike do jetë i pranueshëm për të gjithë. Qeveria të analizoj situatën dhe të merr vendime që nuk i dëshiron regjimi i Vuçiqit, por vendimet e zgjedhja e këtij problemi sipas praktikave dhe metodave evropiane!“, përfundoi Haliti për TV Arbëria.