Shkruan: Basri Beka
Përfshirja e eksponentëve të Islamit politik dhe e klerikëve radikalë islamikë në listat zgjedhore të 7 qershorit është një zhvillim jashtëzakonisht i rrezikshëm për rendin demokratik dhe karakterin laik të shtetit tonë. Nuk mund të normalizohet hyrja në politikë e individëve dhe grupeve që për vite me radhë kanë helmuar shoqërinë me propagandë fetaro-politike, kanë sulmuar figurat kombëtare shqiptare, kanë përçarë kombin mbi baza ideologjike dhe kanë tentuar ta zëvendësojnë identitetin kombëtar shqiptar me narrativa neotomane.
Kosova nuk është ndërtuar mbi ideologji islamiste. Ky shtet është ndërtuar mbi gjakun e dëshmorëve të UÇK-së, mbi orientimin perëndimor, mbi vlerat kombëtare shqiptare dhe mbi parimin e shtetit laik e demokratik. Ata që sot tentojnë ta përdorin demokracinë për ta rrënuar demokracinë nga brenda, nuk janë reformatorë — janë kërcënim.
Është e papranueshme që në skenën politike të promovohen njerëz e rrjete që kanë:
– justifikuar ose relativizuar radikalizmin fetar,
– fyer heronjtë shqiptarë dhe figurat kombëtare,
– sulmuar mendimin kritik dhe lëvizjet iluministe shqiptare,
– nxitur urrejtje ndaj intelektualëve e qytetarëve laikë,
– rekrutuar të rinj për luftërat e ISIS-it në Siri,
– përhapur frymë anti-perëndimore dhe anti-shtetërore.
Edhe më shqetësuese është heshtja ndaj gjuhës së linçimit që përdoret çdo ditë kundër çdo shqiptari që kritikon ekstremizmin fetar. Kushdo që mbron identitetin kombëtar, shtetin laik dhe orientimin euro-atlantik shpallet “armik”, “tradhtar” apo “anti-fetar”. Kjo është metodë tipike e radikalizmit politik e ideologjik. Kjo nuk ka lidhje me fenë si besim personal. Kjo është tentativë për kontroll shoqëror dhe politik përmes frikës, presionit dhe fanatizmit.
Kosova nuk ka nevojë për import ideologjik nga Lindja, por për zhvillim, arsim, shkencë, ekonomi dhe forcim të identitetit kombëtar shqiptar. Futja e elementeve radikale në institucione është minë me sahat për kohezionin kombëtar dhe sigurinë e shtetit. Pasojat mund të jenë afatgjata: polarizim shoqëror, dobësim i shtetit laik, izolim ndërkombëtar dhe radikalizim i gjeneratave të reja.
Prandaj, çdo qytetar që beson në Kosovën demokratike, shqiptare, perëndimore dhe laike duhet ta kundërshtojë hapur këtë infiltrimin ideologjik në politikë. Heshtja sot do të paguhet shtrenjtë nesër.