Gianni Infantino, i cili deri para pak muajsh shihej si favorit për t’u rizgjedhur pa kundërshtarë në krye të FIFA-s, tashmë po përballet me presion në rritje.
Zgjedhjet presidenciale të institucionit më të lartë të futbollit botëror do të mbahen në mars të vitit 2027, por gara ka filluar të marrë një drejtim tjetër për shkak të polemikave të fundit.
Sipas raportimeve të gazetës britanike “The Times”, kundërshtarët e Infantinos po kërkojnë një kandidat që mund të garojë përballë tij dhe t’i japë fund mundësisë së një rizgjedhjeje pa rivalë, përcjell “Gazeta Express”.
Deri pak muaj më parë, rreth 200 nga 211 federatat anëtare të FIFA-s kishin shprehur mbështetje për presidentin aktual.
Megjithatë, situata ndryshoi pas polemikave rreth një projekti për përfshirjen e investitorëve privatë në të drejtat komerciale të Kupës së Botës.
Plani, i cili më vonë u braktis, thuhet se kishte shkaktuar përçarje edhe brenda drejtuesve të FIFA-s.
Presioni ndaj presidentit italo-zviceran është shtuar edhe pas raportimeve për mënyrën e kompensimit të tij financiar.
Sipas “The Times”, FIFA ka përdorur dy skema të ndryshme pagesash, ndërsa njëra prej tyre nuk rezulton në raportin vjetor të organizatës.
Kjo ka ngritur pikëpyetje rreth transparencës dhe zbatimit të rregullave të qeverisjes.
Ndërkohë, Federata Norvegjeze e Futbollit ka paraqitur tri ankesa pranë organeve përkatëse të FIFA-s.
Ato lidhen me çmimin e paqes që iu dha Donald Trumpit, rastin e Folarin Balogun gjatë Botërorit 2026 dhe projektin për të drejtat komerciale të Kupës së Botës.
Edhe çështja e kualifikimit të Republikës Demokratike të Kongos, për shkak të dyshimeve rreth përshtatshmërisë së një portieri, ka shtuar pikëpyetjet rreth vendimmarrjes në futbollin ndërkombëtar.
Një nga problemet kryesore për kundërshtarët e Infantinos mbetet gjetja e një kandidati të përbashkët. Victor Montagliani, president i konfederatës së futbollit të Amerikës së Veriut, Qendrore dhe Karaibeve (CONCACAF), ishte konsideruar një prej alternativave të mundshme, por tashmë synon të konfirmojë pozitën e tij në krye të kësaj organizate.
Në mesin e emrave të tjerë të përmendur janë sheiku Salman, president i konfederatës aziatike të futbollit, dhe princi jordanez Ali bin al-Hussein.
Gjithnjë sipas “The Times”, janë zhvilluar gjithashtu kontakte paraprake me Arsène Wengerin, aktualisht drejtues i zhvillimit global të futbollit në FIFA, si dhe me Michele Kang, sipërmarrëse dhe pronare e klubeve të futbollit të femrave në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara.
Përveç tyre, një tjetër kandidat i mundshëm, identiteti i të cilit nuk është bërë publik, po e shqyrton mundësinë e hyrjes në garë.
Afati për paraqitjen e kandidaturave përfundon më 18 nëntor, ndërsa secili kandidat duhet të sigurojë mbështetjen e së paku pesë federatave kombëtare.
Nëse nuk paraqitet asnjë rival, Infantino do të rizgjidhet për një mandat të katërt dhe të fundit.