Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Indiferenca politike mbi humbjen e jetës së të riut ne Prizren në vendin e punës

Indiferenca politike mbi humbjen e jetës së të riut ne Prizren në vendin e punës

Shkruan: Afrim Kasolli

Edhe një 25 vjeçar kaloi në amshim në vendin e tij të punës. Arbër Gërguri, nga fshati Vragoli e Komunës së Fushë Kosovës, humbi jetën deri sa ishte duke punuar në qytetin e Prizrenit. U shua edhe një jetë në moshën më të mirë për t’u mos u kthyer më kurrë. Ai u gjend në ato rrethana fatkeqe thjesht nga lufta për bukën e gojës në kushte ekstremisht të pasigurta që dominojnë në vendet e punës te ne. Madje edhe ditën e diel, ku kjo ditë konsiderohet si ditë pushimi. Mjerisht, numri i vdekjeve në këtë sektor thuajse ka marr përmasat e një “epidemie kombëtare”.

Mirëpo, këtë ngjarje më të kobshme e bënë edhe sjellja e liderëve politika në këto ditë të dalldisë elektorale. Asnjëra nga ata, me përjashtim të atij të AAK-së, që janë në kërkim të sigurimit të pushtetit në zgjedhjet e 9 shkurtit të vitit të ardhshëm nuk mori mundin për ta kujtuar e nderuar këtë humbje tragjike.

Kryeministri Kurti, një kohë të gjatë kishte propaganduar se prioritet i tij qeverisës do të jenë të drejtat dhe siguria në vendin e punës. Në programin e tij qeverisës për këtë mandat shkruante se synim i tij mbetet mbrojtja e të drejtave të punëtorëve dhe përmirësimi i kushteve në punë. E për përmirësimin e këtyre kushteve ishte premtuar fuqizimi i mekanizmave të zbatimit të ligjit, rritja e numrit të inspektoreve të punës, etj. Mirëpo, sot i ballafaquar me shumë skandale qeverisëse, ai vendosi t’i orientoi prozhektorët e tij elektoral edhe një herë nga veriu i vendit, me shpresën për ta mbajtur sa më gjallë këtë kartë elektorale.

Ndërkohë, kandidati i Partisë Demokratike për kryeministër, Bedri Hamza, vendosi të na tregoi se si do të bëhet Kosova “më mirë” me imazhin dhe spektaklin e Granit Xhakës, një sportisti me origjinë nga Kosova, që ia ka dedikuar jetën dhe karrierën shtetit helvetik. Natyrisht, nuk jam kundër zgjedhjes që ka bërë sportisti Xhaka. Është e drejtë e tij jetësore ky paracaktim. Mirëpo, ai nuk përfaqëson asgjë nga jeta reale në Kosovë. Këtë të fundit, deri më dje e ka përfaqësuar Arbër Gërguri dhe shumë të tjerë si ai, që kanë vendosur të jetojnë e veprojnë në Kosovë, në kushte të mjerueshme në vendin e punës. Pra heronjtë e vërtetë për Kosovën janë këta të fundit, e jo rastet sikur G.Xhaka, që aktualisht raportin me vendin e kanë kryesisht elektoral.

Prandaj, çdo parti politike që synon të qeveris këtë vend duhet të dëshmojë se çka do të bëjë për të parët, e jo të improvizojë spektakle me rastin Xhaka, sepse për të, çdo gjë e ka bërë shteti zviceran. Në fund të fundit, në këtë mënyrë transmetohet mesazhi se sa më shumë të rinj që arratisen nga Kosova dhe akomodohen në botën perëndimore, aq më tepër do të jenë të vlerësuar nga kjo politikë, kryesisht nga kalkulimi për të përfituar nga ndonjë fotografi e çastit.

I heshtur në këtë rast u tregua edhe lideri i LDK-së, Lumir Abixhiku. A është ky ndryshimi që ai po e promovon? Mbase i entuziazmuar nga “turneu i ndryshimit”, kjo temë i është dukur pa peshë politike

Kjo indiferencë e liderëve të sipërcekur tregon edhe natyrën bizare të politikës që ata e përfaqësojnë. Të vetëdijshëm se ky sistem ku dita ditës po prodhohen viktima në vendin e punës është produkt i saj, atëherë për ta shfajësuar vetën, mbase mëton që këto raste t’i trajtojë vetëm si humbje aksidentale dhe pa asnjë rëndësi shtetërore. /TV Arbëria

Themes by WordPress