Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Iluzioni opozitar që po i shërben pushtetit

Iluzioni opozitar që po i shërben pushtetit

Shkruan: Afrim Kasolli- Opozita në Kosovë ka kohë që beson se rruga më e duhur e ballafaqimit me pushtetin është vetëdiskreditimi i tij publik. Pra asaj nuk i duhet të bëjë asgjë, mjafton ndonjë deklaratë e drejtueseve të saj në rrjetet sociale dhe kështu qytetarët e Kosovës do ta kuptojnë herët apo vonë se Albin Kurti nuk është “heroi” i duhur i tyre.

Në vend të veprimit dhe ofrimit të ndonjë alternative, mjafton pritja. Kohë kanë mjaft, sidomos disa nga udhëheqësit e PDK-së dhe LDK-së. Dhe çasti i tyre fatlum për t’u ringritur në lartësitë e Olimpit politik do të jetë i pashmangshëm.

Tema ku ata më se shumti shpresojnë se mund të realizohet ky skenar, janë marrëveshjet me Serbinë, apo sikur se kërkesa e Kryeministrit për zbatimin e vendimit të vitit 2016 të Gjykatës Kushtetuese, për regjistrimin e 24 hektarëve tokë si pronë e Manastirit të Deçanit.

Dhe këto sjellje do t’i kthehen në bumerang për shkak të kundërshtimit të ashpër që e kishte bërë ndaj tyre si opozitar. Në këtë mënjë këto kthesa të befasishme të të parit të Qeverisë vetëm sa do të dëshmojnë se e gjithë “rezistenca”  tij ka qenë false dhe me motiv pushtetin, e jo mbrojtjen e atyre që i ka propaganduar ndër vite. E njëjta gjë mund të thuhet edhe dialogun e Brukselit etj etj, sepse tashmë i ka pranuar jo vetëm ato që i ka refuzuar, por ka shkuar edhe shumë më larg.

Por, pikërisht ky iluzion  i opozitës, më shumë se sa ta vetëdemantojë pushtetin mund bëjë të parën të padobishme, pasi nuk paraqet ndonjë alternativë ndaj të dytit. Të gjithëve na kujtohet retorika e Albin Kurtit, deri sa ishte në opozitë kur i akuzonte partitë që e kishin qeverisur Kosovën deri sa ky i fitoi zgjedhjet, se drejtuesit e tyre, po bënin kompromise dhe marrëveshje të dëmshme për Kosovën me të vetmin qëllim për ta shpëtuar vetën, sepse ish-lidershipi i vendit ishte i shantazhuar dhe korruptuar.

Pra Kosova ishte peng, për shkak se ata ishin peng politik. Çlirimi i të parës kalon nga largimi i të dytëve. Dhe kur mbështetja e publikut për këto parti u shkapërderdh, ai ishte në “vendin e duhur dhe në kohën e duhur për ta përvetësuar”. Në vend të recesionit demokratik, kapitali i tyre politik u përfshi nga inflacioni.

Kështu, me anë të kësaj retorike ai ia doli që ta zhvleftësonte në sytë e opinionit publik partneritetin e shtetit të Kosovës me shtetet mike, nga partitë e “establishmentit” si subordinim dhe nënshtrim për mbijetesë personale. Se sa ka pasur bazë reale ky narracion është tjetër gjë. Mirëpo, në politikë gjithçka është interpretim. Që nga koha e Platonit wshtw dokumentuar se si demagogjia mund  të përdoret si armë polItike për pushtet. Ndërkohë, opozita nuk ka asnjë interpretim alternativ ndaj atij që është dominant.  Për braktisjen e kauzave të dikurshme, Albin  Kurti disa e herë e ka përsëritur rrëfimin se i është imponuar, jo për shkak se ky është i korruptuar, por sepse i duhet ta bëjë “maksimumin e mirë e të mbarë me një trashëgimi të keqe e të mbrapsht që nuk është aspak minimale”.

Prandaj, për aq kohë sa opozita të vetmin argument “kritik” kundër drejtuesit të qeverisë e mbron tezën se i pari i ka braktisur  kauzat me të cilat ka ardhur në pushtet, në mënyrë të tërthortë apo të drejtpërdrejtë, i shërben arsyetimit të tij mbi “sjelljen racionale që është duke demonstruar mbi bazën e vendimeve të padrejta”.

Kështu, ajo po dëshmon se aktiviteti i vetëm i deritanishëm mbetet një lloj nostalgjie për Albin Kurtin, që dikur i sulmonte partitë e sotme opozitare sa ishin në pushtet. Asgjë më shumë. Qytetarët e Kosovës tashmë po ballafaqohen me një dyfishim të së “vërtetës zyrtare”.

/TV Arbëria

 

 

 

 

Themes by WordPress