Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Iluzioni i partive opozitare se e ndalen “grusht shtetin kushtetues” të Albin Kurtit

Iluzioni i partive opozitare se e ndalen “grusht shtetin kushtetues” të Albin Kurtit

Shkruan: Afrim Kasolli

Që nga tërheqja e Albin Kurtit për ta zgjedhur si presidente Feride Rushtin, qoftë me mungesën e prezencës së 80 deputetëve në seancën plenare, janë shtuar zërat nga partitë opozitare se kjo kthesë e tij erdhi pas paralajmërimit të këtyre të fundit se nëse kalon ky “grusht shtet kushtetues” ato do të mobilizohen me të gjitha mjetet kundër pushtetit të Albin Kurtit. Përndryshe po të mos ishte ky kërcënim i tyre ne sot do ta kishim në krye të shtetit Feride Rushitin të zgjedhur në mënyrë antikushtetuese. Dhe se ai në fund u frikësua nga ky rrezik prandaj u zbyth.

Por e vërteta mund të jetë krejt tjetër. Se Albin Kurti është tërhequr në momentet e fundit për arsyeje krejt tjera. Ai e dinte se zgjedhja e Presidentes së re shtetit në këtë mënyrë kontroverse do të ishte një goditje e re ndërkombëtare për të. Dhe është kjo sferë ku Albin Kurti është duke investuar me të madhe për t’i relaksuar raportet pas një izolimi të gjatë.

Kompromisi lidhur me Ligjin për të huajt, ku mori mbështetje si nga Brukseli ashtu edhe Uashingtoni, si dhe përshpejtimi i proceduarave për dislokimin e FSK në Gaza si pjese e përpjekjeve ndërkombëtare për paqe, të iniciuara nga Presidenti Trump janë disa nga lëvizjet e tij taktike për ta restauruar autoritetin e munguar në teatrin e diplomacisë botërore. Prandaj, ai e dinte se duke vazhduar në këtë mënyrë do t’i sakrifikonte të gjitha këto përpjekje. Sepse përndryshe sa për partitë opozitare, tashmë Feride Rushiti do të ishte kryetare e shtetit.

Në këtë kontekst, si duket Albin Kurti ka qenë ndërmjet dy dilemave. Ose ta rrezikojë atë partneritet që është duke bërë përpjekje maksimale për ta rifituar, ose të përballet edhe një herë me këtë opozitë në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare, pas dështimit për t’i dhënë vendit president. Dhe sipas të gjitha gjasave ka dominuar variabla e dytë.

Ai e dinë se këto parti aktualisht nuk paraqesin asnjë sfidë serioze në gjendjen çfarë janë kundër hegjemonisë së tij. Partia Demokratike e Kosovës hynë në këtë proces e lënduar dhe pushtuar nga një mos besim i madh ndërmjet anëtarësisë së saj, për shkak të “vjedhjes industriale të votove” që kishte ndodhur në zgjedhjet e fundit. Po ashtu as çarjet e brendshme të kushtëzuara nga mentaliteti fragmentar që u manifestuan në zgjedhjet lokale nuk është se janë tejklaur. Sepse fryma që i ka ushqyer ato antagonizma është prezente brenda tyre.

Lidhja Demokratike e Kosovës është dorëzuar se ka kapacitete vetanake se mund të ta sfidojë atë, prandaj nuk i ka mbetur tjetër opsion, pos ta huazoj figurën e stërperdorur të Vjosa Osamanit. Kurse Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është e kapluar nga ankthi që ta shmang fatin e Nismës Social Demokrate.

Madje, kjo gjendje e pashpresë në të cilën ndodhet opozita, as që do të mund të shërbente si medium për mobilizim popullor. Sepse këto parti nuk ka shume kohë që e kane tradhtuar popullin kur e lanë në mëshirë të fatit duke refuzuar që të bëhen pjesë e protestave qytetare kundër shtrenjtimit të rrymës. Mbase të njëjtat kanë kalkuluar se duhet të presin derisa Albin Kurti t’i shton vështirësitë ndaj qytetarëve të Kosovës dhe ato sa e hap e mbyll sytë ta marrin pushtetin nga kafiteritë e Prishtinës, ashtu siç e vëzhgonin popullin në mënyrë të relaksuar deri sa ia protestonte.

Janë këto dobësi që tregojnë se më së paku ka qenë “rezistenca” e tyre se pse Albin Kurti u tërhoq nga “tentimi grusht shteti kushtetues”. Për më shumë janë këto parti që kohën e fundit kanë deklaruar se nuk do t’i drejtohen tash e tutje Gjykatës Kushtuese për të adresuar projektligje të pushtetit me pretendimin se nga këto nisma po përfiton politikisht Lëvizja Vetëvendosje. Pra para se kjo e fundit ta shkel rendin kushtetues, janë të parat që janë dorëzuar politikisht për të mos e mbrojtur atë.