Njohësi politik, Ilir Gashi, i ftuar në emisionin “N’Pult”, ka folur për situatën politike në vend dhe procesin e vazhdueshëm zgjedhor, ndërsa theksoi se qytetarët po përballen me një trajtim të padrejtë nga subjektet politike.
I pyetur se a po lodhet apo po forcohet qytetari, duke qenë se “28 dhjetori hera e katër që qytetari po voton brenda një viti”, Gashi tha se “A po lodhet apo po forcohet qytetari këtu duhet bërë një matje, unë besoj që qytetari nuk e meriton këtë trajtim për arsye sepse demokracia në vetvete e ka një parim, të themelojë institucionet demokratike që të jenë në shërbim të qytetarit, dhe të merret me hallet dhe problematikat që i kanë qytetarët. Ne jemi dëshmitarë që pothuajse ka munguar adresa e shqetësimeve, problemeve e halleve dhe kërkesat e qytetarëve”.
Ai shtoi se vendi po shkon drejt një polarizimi të rrezikshëm.
“Fatkeqësisht edhe në këto zgjedhje që po vijnë pothuajse jemi afër polarizimi është shumë i madh dhe kjo është për të ardhur keq sepse ky polarizim, ky gjuhë ka derivu një ngërç politik që e kemi nga 9 shkurti e deri më tani prandaj unë konsideroj që do të duhej të reflektojnë dhe ta përdorin gabimin e njejtë”.
Sipas tij, partitë politike po shfrytëzojnë polarizimin si mjet për të mbledhur vota.
“Sido që të jetë unë sa e shoh dhe mund ta vlerësoj partitë politike sikur iu konvenon apo iu shkon ma për shtati një gjuhë polarizuese për faktin sepse e shohin si mundësi për ta thithë sa më shumë vota dhe që në realitet ky është një dëm shumë i madh për shoqëri dhe demokracisë”.
Gashi theksoi se shoqëria kosovare po kalon një tranzicion të ndërlikuar.
“Ne kemi kaluar një fazë, dhe të them të drejtën kemi një lloj tranzicioni por jo vetëm trazicion ekonomik, kulturor po edhe politik që realisht në teori është edhe në praktikë është revolucioni më i vështirë dhe ky diskurs dhe kjo formë e partive politike ka ardhur si rezultat se një farë forme ne si shoqëri kemi përjetuar shumë gjëra dhe nuk është problem të manipulohen se nuk kemi shumë të artikuluar dhe realisht vet i kemi leju që partitë politike ta ndjekin këtë diskurs”.
Ai shtoi se përgjegjësia është edhe te qytetarët, të cilët shpesh e votojnë atë që e konsiderojnë të parealizueshëm.
“Qytetarët duhet t’iu intereson programi politik, t’ia kërkon programin politik. Madje konsideroj që duhet ta bind qytetarin që programi politik është program që i konvenon, dhe jo vetëm që nuk e bëjnë këtë, por realisht qytetari e kupton në takimet e ndryshme e thojnë që ky program, ky premtim është i pa realizueshëm dhe në anën tjetër e voton atë subjekt”.
Në fund, Gashi bëri thirrje për vetëdijesim më të madh shoqëror.
“Prandaj unë konsideroj se duhet të vetëdijësohemi, duhet të punojmë, duhet të punojë shoqëria civile, qytetarët, të rinjtë për arsye se ne detyrimisht duhet të krijojmë një mendim shumë pozitiv dhe t’i mbajmë përgjegjës partitë politike”.