Trajneri i Ballkanit, Ilir Daja, ka folur pas ndeshjes, duke i dhënë të gjitha meritat lojtarëve të tij për shpirtin dhe karakterin e treguar.
‘Timonieri’ Daja udhëhoqi Ballkanin edhe në fitoren historike ndaj Dinamos Zagrebit me rezultat 2-0 në “Fadil Vokrri”.
“Kemi bërë shumë histori sepse kemi dy vjet që po marrim pjesë në grupe, dhe performancat e duhura, kanë një emërues të përbashkët. Janë djemtë që kanë shumë elemente pozitive. Ulin diferencën për shkak të karakterit që tregojnë në fushën e lojës. Ata janë fituesit. Të gjithë bashkë po luftojmë për suksesin që e kemi”.
“Me ekipe si Dinamo natyrshëm se nuk mund të bësh një lojë kaq brilante sepse kanë goxha eksperiencë. Këtë lloj diference ne e zbusim dhe e ngushtojmë me faktin që jemi grup dhe të gjithë bashkë luftojmë. Luftojnë ata që janë në fushë, ata në bankinë dhe ne që jemi nga prapa”.
“Ne kishim studiuar kundërshtarin dhe pavarësisht rezultatin 2-0, është skuadër që duhet respektuar në maksimum për shkak të vlerave që ka”.
“Dinamo ka pikë të forta me disa lojtarë. Ne sollëm një mënyrë loje që pikat e forta të tyre t’i neutralizonim. Kjo është pozitive, por pa karakterin e lojtarëve që unë drejtoj, nuk do të mund t’i arrinim këto suksese”, ka thënë Daja.
/TV Arbëria