Instituti i Kosovës për Drejtësi ka reaguar pas vendimit të Qeverisë për rritje të pagave nga 1 janari.
IKD ka sqaruar se ekziston një nen që kufizon mundësinë e Qeverisë që të ndryshojë nivelin e koeficientëve.
“Mu për këtë arsye ishte vendosur edhe neni 42 i Ligjit i cili e kufizon mundësinë e qeverisë apo partive në pushtet që të ndryshojnë strukturën, komponentët apo nivelin e koeficienteve tanimë të përcaktuar në katalogun që është pjesë e ligjit”, ka shkruar në Facebook Ehat Miftaraj, drejtor i kësaj organizate.
Dhe sipas Miftarajt ky vendim e shkatërron parimin e vendosur në nenin 42.
“Në bazë të ligjit për Paga, Ligjit për Ndarjet Buxhetore dhe Ligjin për Buxhetin pagat në sektorin publik nuk mund të jenë më pjesë e vendimeve të qeverisë por ndërlidhen me shkallën e zhvillimit ekonomik, kështu që veprimet e qeverisë janë të kundërligjshme dhe me këtë edhe keqpërdorim i autoritetit për përfitime elektorale”, ka shkruar ai.