Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës ende nuk kanë nisur së zbatuari vendimin e Gjykatës Kushtetuese për ndryshimin e Ligjit për Skemat Pensionale
Kështu thuhet në një njoftim për media nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD).
Sipas tyre, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës është adresa e fundit ku qytetarët dhe palët tjera mund të drejtohen për mbrojtje të të drejtave dhe lirive të njeriut.
Tutje në njoftim bëhet e ditur se zbatimi i vendimeve të saj është i detyrueshëm për të gjithë, por Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës ende nuk kanë nisur së zbatuari Aktgjykimin në rastin nr. KO190/19.
“Më 30 dhjetor 2022, Gjykata Kushtetuese kishte nxjerrë Aktgjykim, përmes së cilit ajo kishte deklaruar të pranueshme kërkesën e Gjykatës Supreme e cila kishte ngritur dyshime për kushtetuetshmërinë e paragrafi 2 të nenit 8 te Ligjit nr.04/L-131 për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti në lidhje me nënparagrafin 2.3 të paragrafit 2 të nenit 6 të Udhëzimit Administrativ nr.09/2015.
Gjykata kishte vlerësuar se kjo dispozitë e Ligjit për Skemat Pensionale është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, (Barazia para Ligjit) dhe me Konventën Evropianë për të Drejtat e Njeriut (Ndalimi i Diskriminimit) dhe (Ndalimi i Përgjithshëm i Diskriminimit)”, thuhet në njoftim.
Po ashtu nga KDI thonë se: “Gjykata ka urdhëruar Kuvendin dhe Qeverinë, që brenda gjashtë muajve, jo më larg se me 15 korrik 2023, të ndërmarrin veprimet e nevojshme për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit nr.04/L-131 për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti. Në të njëjtën kohë, këto dispozita shfuqizohen me 15 korrik 2023”.
“Në rastin e këtij aktgjykimi, rezulton se Kuvendi i Kosovës dhe Qeveria ende nuk kanë nisur së zbatuari këtë aktgjykim.
Projektligji për Skemat Pensionale, ishte i përfshirë në Programin Legjislativ për vitin 2021 dhe 2022 për miratim në Qeveri, por i njëjti nuk ishte miratuar. Në programin legjislativ për vitin 2023, përkundër obligimit që rrjedh nga Aktgjykimi në rastin nr. KO190/19, Qeveria e Kosovës në mbledhjen e saj të 121-të, nuk e përfshin këtë projektligj në Programin Legjislativ”.
IKD, përmes kërkesës për qasje në informata dhe dokumente publike, siç thuhet në njoftim ka kërkuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, nga Kryetari i Kuvendit dhe nga Kryetari i Komisionit për Buxhet, Punë dhe Trasnfereve me pyetjen se kur do të fillojnë së zbatuari obligimet që dalin nga ky aktgjykim.
“Përveç MFPT-së, kryetari i Kuvendit dhe kryetari i KBPT-së, nuk kanë kthyer përgjigje përkundër faktit që u janë dërguar dy kërkesa për qasje në informata.
MFPT, në përgjigjen e saj thotë se ‘agjenda legjislative është dokument dinamik i cili, siç është parë edhe në të kaluarën, pëson ndryshime gjatë vitit në kuptim që numër i konsiderueshëm projektligjesh i shtohet agjendës’ “.
Në ndërkohë, pas kësaj përgjigje, siç bëhet e ditur nga IKD programi legjislativ ndryshohet tre herë: me 31 janar 2023, duke u shtuar 2 projektligje, me 9 mars 2023 duke u shtuar një projektligj dhe me 13 prill 2023 duke u shtuar 12 projektligje.
/TV Arbëria