Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Arbëria > IKD: Drejtësia dështoi në luftimin e korrupsionit

IKD: Drejtësia dështoi në luftimin e korrupsionit

Lufta kundër korrupsionit edhe gjatë vitit të kaluar (2022) nuk ka shënuar rezultate të pritshme dhe mbetet sfidë për sistemin e drejtësisë.
Sipas të gjeturave të raportit “Dështimi i drejtësisë në luftimin e korrupsionit” të Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD) që u publikua të shtunën Prokurori i Shtetit ka pësuar regres në zgjidhjen e rasteve të korrupsionit, pasi numri i rasteve të pazgjidhura ka shënuar rritje për 314 lëndë. Ndërsa edhe në gjykata, numri i lëndëve të pazgjidhura ka shënuar rritje, me tetë të tilla.

Gëzim Shala, hulumtues i lartë në IKD, deklaroi se gjatë vitit të kaluar Prokurori i Shtetit ka zgjidhur lëndët e 826 personave derisa ka pranuar lëndë për 1140 persona, duke bërë që në fund të vitit numri i lëndëve të pazgjidhura të korrupsionit të rritet.

Shala tha se gjatë vitit 2022, Prokurori i Shtetit ka akuzuar 98 persona për vepra të ndryshme penale nga kapitulli i veprave të korrupsionit. Më së shumti aktakuza ka ngritur Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (25) dhe më pas Prokuroria Themelore e Prishtinës (19). Ndërsa, numrin më të ulët të personave të akuzuar për korrupsion e ka Prokuroria Themelore e Ferizajt (3).

Mirëpo, nga 98 personat e akuzuar për korrupsion, vetëm 8 prej tyre i takojnë profilit të lartë. Dhe nga ky numër vetëm një është që është akuzuar gjatë kohës sa ka qenë zyrtar.

Sa i përket dëmit të pretenduar përmes veprave penale korruptive për të cilat Prokuroria ka ngritur aktakuza, IKD thotë se dominon vlera e dëmit në mes 10 mijë deri në 50 mijë euro. Rasti me dëmin më të lartë të pretenduar nga Prokuroria është aktakuza në rastin “53 milionësh” ndaj ish-ministrit Pal Lekaj dhe 3 të akuzuarve të tjerë.

Duke u ndalur të provat e Prokurorisë, Shala deklaroi se nga 20 aktakuza që kanë analizuar të përzgjedhura në bazë të metodës rastësore, kanë gjetur se në asnjërën prejtyre Prokurori i Shtetit nuk ka aplikuar masa të fshehta me rastin e zhvillimeve të hetimeve.

Shala tha se Prokuroi i Shtetit më shumë po bën hetim administrativ në rastet e korrupsionit se sa një hetim penal.
“Nëse i analizojmë provat, IKD ka gjetur se asnjë nga këto aktakuza nuk ka aplikuar masa të fshehta të hetimeve. Nëse i shohim përgjithësisht provat, janë deklaratat e palëve, kontrata, raportet e policisë, dëshmitarë, e të tjerë, dhe nëse në bazë të këtyre provave shohim natyrën e hetimit atëherë del se Prokuroi i Shtetit më shumë po bën hetim administrativ në rastet e korrupsionit se sa një hetim penal dhe që fatkeqësisht në shumë raste kjo më pas po reflektohet-shtoi Shala

/Arberia TV