Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Ideologjia e rrenës si mjet për mbajtjen e pushtetit

Ideologjia e rrenës si mjet për mbajtjen e pushtetit

Shkruan: Afrim Kasolli

Kryeministri Kurti e ka vazhduar avazin e tij të sulmeve ndaj mediave. Kësaj herë ai i ka quajtur gazetarët rrenca. Gjatë një takimi me qytetarë në Komunën e Istogut, ka pohuar se motivet fushatës mediale kundër qeverisë së tij, tentojnë “që të krijojnë dyshim në të dhe Lëvizjen Vetëvendosje”. E ky “dyshim shkaktohet nëpërmjet përsëritjes së rrenës. Kështu kurrë me shumë rrenca se tash nëpër portale dhe nëpër studio televizive nuk ka pasur” ka përfunduar i pari i Qeverisë së Kosovës.

Nuk ka asgjë më cinike sesa ky etiketim i kryeministrit Kurti. Pasi e ka shkelur parimin themelor të politikës, aftësinë për të dhënë dhe mbajtur premtime para publikut, tash kërkon që kjo anë e errët e tij të varroset përfundimisht. Pra të heshtet. Të mos i përmendet. Dhe të mos i kontestohet fitimi i pushtetit nëpërmjet propagandës. Thjesht të mungojë çdo lloj dyshimi në aftësitë e tij. Dhe shoqëria të besojë verbërisht në rolin prijës që e përfaqëson.

Askush nuk e mohon faktin se edhe mediat duhet të përmirësohen e të avancohen në funksion të misionit të tyre. Mirëpo, pavërisht gabimeve që mund te kenë, ato nuk mund të krahasohen me antologjinë e mashtrimeve që i ka prodhuar kryeministri Kurti në drejtim të lartësimit të tij drejt majave të Olimpit Politik. Madje në rrethe të ngushta ai i ka inkurajuar aktivistët e subjektit që e drejton që të shpërhapin sa më shumë thashetheme dhe rrena si mjet për përfitime politike. Mjafton vetëm të shihen zotimet që gjenden të shkruara në programin e tij qeverisës për mandatin që po përfundon dhe të kuptohet natyra e regjimit të këtij pushteti.

Kjo mbase edhe është arsyeja që Albin Kurti ka vendosur që në këto zgjedhje të mos ofrojë asnjë program për vitet 2025-2029. Ta korrigjojë gabimin e kaluar. Që të çlirohet plotësisht nga përgjegjësia për mos mbajtjen e premtimeve të dhënave. Nuk është e rastësishme, që gjatë një seance në Kuvendin e Kosovës, kur po flitej për dështimet e Qeverisë së Kosovës, për të siguruar njohje të reja, Kryeministri Kurti, ishte arsyetuar se “ky nuk ka qenë premtim i tij elektoral dhe zgjedhor, prandaj edhe është e padrejtë që të mbahet përgjegjës për këtë fakt”.

E ky justifikim, siç duket, krahas që ishte një përpjekje për shfajësim për të kaluarën, po ashtu mund të konsiderohet edhe paralajmërim qeverisës për të ardhmen. Ku kryeministri Kurti ka vendosur të mos premtojë e të mos zotohet para publikut për asgjë, në mënyrë që të imunizohet nga çdo kritikë dhe llogaridhënie për dështimet dhe rrenat e tij. Mirëpo, kjo qasje është suspendim i politikës. Dhe shënon kalimin në terrenin e një relacioni kuazi-religjioz, ndërmjet profetit të rrejshëm në njërën anë dhe masave besimtare në tjetrën. Thjesht shndërrimin e rrenës në ideologji si mjet për mbajtjen e pushtetit.

Kam shkruar edhe në të kaluarën për pasojat politike të këtij modeli, duke e huazuar një pjesë të rrëfimit letrar të Radoje Domanović, Prijësi (Vođa). Në atë vepër flitet për një popull, që me një lehtësi të padurueshme e lejon vetën të drejtohet nga nja prijës i verbër, i cili në fund i shpie kolektivisht drejt humnerës. Atëherë, ata pak që mbesin, marrin guximin dhe e pyesin drejtuesin, se ku po na dërgon kështu? Ai u kthehet, po unë jam i verbër, po ju ku i patët sytë?

Përfundimisht, është detyrë e mediave që të mos e lejojnë asnjë shoqëri të katandiset në kësi humnere, pavërisht apetiteve të liderëve politikë./tvarbëria/