Tri viktima të “Grupit të Intelektualëve” janë identifikuar përmes analizës së ADN-së, pas gjetjes së mbetjeve mortore në lokacionet e varreve masive në Kalludër dhe Jabukë të Zubin Potokut.
Lajmin e ka bërë të ditur kryeministri Albin Kurti, i cili tha se në nisje të vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është njoftuar se Komisioni Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur ka pranuar tri raportet e para të ADN-së.
“Në më pak se dy muaj nga konfirmimi i varrit të parë masiv, analizat e ADN-së kanë konfirmuar identitetin e tri viktimave, duke vërtetuar lidhjen me personat e grupit të njohur si ‘Grupi i Intelektualëve’, kryesisht qytetarë nga Skenderaj dhe Mitrovica, të rrëmbyer dhe të zhdukur me dhunë më 19 prill 1999 nga forcat serbe”, ka shkruar Kurti.
Raportet e ADN-së janë ndarë me Institutin për Mjekësi Ligjore, ndërsa përfaqësuesit e Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur dhe të Institutit kanë njoftuar familjet e tri viktimave të identifikuara.
Kurti ka thënë se në ditët dhe javët në vijim priten edhe raporte të tjera për mostrat e dërguara për identifikim.
“Me shpresën që edhe familjet e tjera të marrin përgjigjet që presin prej 27 vitesh. Asnjë përgjigje nuk mund ta shuajë dhimbjen e humbjes, por njohja e së vërtetës i jep fund ankthit të pritjes për të mësuar fatin e më të dashurve”, ka deklaruar ai.
Më 27 korrik ishte konfirmuar gjetja e varrit masiv në Kalludër. Kurti ka përsëritur kërkesën që faktorët ndërkombëtarë, përfshirë SHBA-në, Mbretërinë e Bashkuar dhe Bashkimin Evropian, të shtojnë trysninë ndaj Serbisë për zbatimin e Deklaratës për Personat e Zhdukur, të dakorduar më 2 maj 2023 në Bruksel.
“Zbardhja e fatit të çdo personi të zhdukur me dhunë është prioritet shtetëror i Republikës së Kosovës dhe detyrim njerëzor, që mbetet i hapur për sa kohë qoftë edhe një familje pret përgjigje”, ka shkruar Kurti.Ai ka thënë se edhe gjatë vizitës në SHBA dhe takimeve në kuadër të sesionit të 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, çështja e personave të zhdukur dhe drejtësia për familjet e tyre do të jenë pjesë e angazhimit të tij.