Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Ideatorët e platformës “Liria ka Emër”: Kosova dje u bashkua për historinë e saj

Ideatorët e platformës “Liria ka Emër”: Kosova dje u bashkua për historinë e saj

Madhështor e rizgjim të Kosovës e konsideruan marshin e djeshëm ideatorët e platformës “Liria ka Emër”. Derisa falënderuan të gjithë pjesëmarrësit, ata thanë se dje Kosova u bashkua për historinë e saj.

Para gazetarëve, ideatorja e platformës, Eliza Hoxha u shpreh se Prishtina dje u mbush plot me ngjyra, ku u tregua edhe maturia e qytetaria.

Hoxha: Dje Kosova u bashkua për historinë e saj

“Të gjitha rrugët dje quan në Prishtinë. Dje Kosova u bashkua për historinë e saj. Dje Prishtina ishte e vogël me i përfaqua zemrat e mëdha të qytetarëve të saj. Dje ishte një ditë një madhështore. Prandaj, përulësisht faleminderit për të gjithë ju që i dhatë kuptim dhe ngjyrim kësaj dite…Na kishte marrë malli me i pa krejt bashkë. Me pa rizgjimin e Kosovës me krejt ngjyrat e saj, por krejt kjo do të ishte e pamundur pa vullnetarët që ndihmuan në organizim dhe mbarëvajtje bashkë me Policinë e nderuar të Kosovës që u kujdes dje për rendin dhe qetësinë. Por, një gjë ishte me rëndësi, maturia dhe qytetaria e djeshme ishte për tu admiruar”, tha ajo.

Edhe ideatori i platformës “Liria Ka Emër”, Ismail Tasholli falënderoi të gjithë qytetarët që u bashkuan në marshin për drejtësi, një ditë para fillimit të gjykimit të ish-krerëve të UÇK-së.

Tasholli: Ky ishte marshi ynë i dinjitetit qytetar

“Familjarëve të çlirimtarëve tanë, faleminderit që ishit dje me ne. Ky nuk ishte vetëm një marsh i rëndomtë, ky ishte marshi ynë i dinjitetit qytetar që di të peshojë vlerat themeltare të saj. E Kosova më shumë se kurrë ka nevojë të jetë bashkë sot”, tha Tasholli.

Ai foli edhe për protestën që u mbajt sot në Hagë, me ç’rast tha se sakrifica e bashkatdhetarëve kërkon mirënjohje.

Tasholli: Është për t’u vlerësuar shumë

“Edhe ata kanë bërë shumë mirë që të jenë të pranishëm edhe fizikisht, bashkatdhetarët tanë që janë në diasporë. Është për tu vlerësuar shumë, sidomos e dimë në Evropë, për të udhëtuar në vende të tjera nuk është aq lehtë, është një sakrificë që nëpërmjet mirënjohjes u jepet atyre atje”, shtoi ai.

Në Hagë nisi sot procesi gjyqësor për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin e Jakup Krasniqin. Atje protestuan me orë të tëra qytetarë nga vende të ndryshme të Kosovës dhe Evropës, duke kërkuar drejtësi për ish-krerët e UÇK-së. Ata edhe një herë u deklaruan të pafajshëm para gjykatësit të procedurës paraprake.

/TV Arbëria