Nënkryetari i komunës së Obiliqit, Ibush Mjekiqi, në një interviste për mediumin TV Arbëria, ka treguar për vështirësitë me të cilat përballen banorët e fshatit Hade (e vjetër), i cili gjendet në afërsi të minierave të KEK-ut, por që nuk është shpronësuar ende nga ministritë e linjës përkatëse dhe KEK-u.
Ky fshat dikur kishte 200 familje, mirëpo sot jetojnë 20 familje, nga ajo që njihet si zona qendër e fshatit, dhe banorët e të cilët i kanë kushtet jashtëzakonisht të vështira, për jetesë.
Për më tepër, ata janë të privuar nga çdo shërbim komunal nga ana e komunës dhe institucioneve tjera lokale.
Duke qenë se ajo zonë është zonë e interesit nacional, sipas Mjekqi, komuna nuk ka asnjë të drejtë as të bëjë investime dhe as të ofrojë shërbime tjera.
Kështu, banorët e këtij fshati janë të privuar nga shërbimet shëndetësore, arsimore, transportit etj.
Po ashtu, kanë probleme me ujin, rrymën dhe më kryesorja me ndotjen, për shkak se janë shumë afër minierës ku bëhet nxjerrja e thëngjillit dhe vazhdimisht janë të ekspozuar nga gazrat dhe mbetjet toksike.
Ai ka thanë se në vazhdimësi kanë bërë kërkesa për shpronësim urgjent të këtyre banoreve, por duke mos përjashtuar as edhe dy fshatra tjera, sikurse Sibofcin dhe Shipitullën, por ende nuk janë marrë në konsideratë këto kërkesa nga institucionet qendrore, çfarë ka ndikuar që gjendja në këto fshatra të jetë tepër e rëndë dhe jeta e pajetueshme.
/TV Arbëria