Sazan Ibrahimi, nga Asociacioni i Komunave të Kosovës, i ftuar në “Arb Debat” me Rid Berishën, ka folur për gjendjen në nivelin lokal në Kosovë.
Ibrahimi: Qeveria e Kosovës duhet t’i kryejë detyrat e shtepisë
Ai gjatë intervistës në TV Arbëria tha se Kosova duhet t’i përmbushë detyrat për të cilat është zotuar, duke përmendur marrëveshjet e vitit 2013-2014 dhe 2015.
“Edhe Asociacioni do të ishte realizuar në vitin 2013 kur ajo marrëveshje është shndërruar në ligj dhe ai ligj nuk ka mundur të kontestohet as në Gjykatën Kushtetuese. Kosova kishte ecur shumë përpara. Kuvendi e ka ratifikuar me shumicën e votave dhe ai është shndërruar në ligj dhe shteti i Kosovës në atë kohë nuk është treguar serioz në zbatimin e atij ligji që e ka miratuar vet. Dhe mendoj se Kosova kishte mundur të jetë shumë më përpara. Pastaj, në vitin 2015, e kemi pasur vendimin e Gjykatës Kushtetuese”
Ai shton se po të kishte përmbushur Kosova marrëveshjet për të cilat ishte zotuar, vendi do të ishte shumë më përpara në aspektin e integrimit evropian.
“Por tash, sipas mendimit tim, sa herë që diskutohet një çështje e tillë, Kosovës mendoj se do t’i rëndohet edhe më shumë. Do të thotë që nga viti 2013 e deri në vitin 2015. Nëse do të ishte zbatuar në vitin 2013-2014, Kosova do të kishte pasur procese integruese, do të kishte lëvizur Kosova. Ndoshta jam gabim, por duke u bazuar në eksperiencat e mia personale jashtë shtetit të Kosovës, do të thotë kemi takuar shumë diplomatë që thonë: ‘Kryeni detyrat e shtepisë’”, tha Ibrahimi në “Arb Debat”.
Ibrahimi: Nuk kemi zhvillime pozitive, vetëm shikoni statistikat se sa rinia e Kosovës është duke u larguar
Ai gjithashtu ka kritikuar nivelin qendror të arsimit, duke thënë se ndërtimi i çerdheve është përgjegjësi e nivelit lokal.
“Niveli qendror nuk duhet të merret me çerdhe, është përgjegjësi e nivelit lokal. Në testin PISA nuk po dalim mirë, niveli qendror duhet të angazhohet maksimalisht për të ndryshuar gjendjen, jo të dalë dhe të thotë: ‘I mbaruam dy çerdhe aty’”.
Ibrahimi gjithashtu ka kritikuar nivelin qendror në lidhje me ndarjen e mjeteve për nivelin lokal.
“Komuna e Podujevës ka marrë më shumë mjete financiare nga ministritë sesa komuna e Prishtinës dhe Prizrenit bashkë” /TV Arbëria