Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > IBNA: Përplasja Osmani-Vuçiç mes konfliktit verbal dhe rreziqeve reale

IBNA: Përplasja Osmani-Vuçiç mes konfliktit verbal dhe rreziqeve reale

Agjencia e Pavaruar e Lajmeve (IBNA), që mbulon rajonin e Evropës Juglindore, ka raportuar për përplasjen e fundit verbale mes udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë, duke theksuar komplikimet që kjo mund të shkaktojë për Bashkimin Evropian.

Në bazë të analizës, misioni për BE-në është i dyfishtë: së pari, ruajtja e sigurisë në terren, ku çdo incident mund të ketë efekt domino; së dyti, progresi drejt zgjidhjeve praktike, duke përfshirë statusin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

IBNA konsideron se deklaratat e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, janë simptomë e një përballjeje që lëviz midis një konflikti verbal dhe rreziqeve reale të sigurisë. Për BE-në, sipas agjencisë, sfida është të mbajë të hapur perspektivën, pa lejuar që retorika të zëvendësojë dialogun e normalizimit, shkruan Albanian Post.

Në qershor, presidenti amerikan, Donald Trump, shpalli papritur se kishte ndalur luftën midis Kosovës dhe Serbisë. Që atëherë, ky pretendim është përsëritur disa herë nga Trumpi. Por, realiteti në terren tregon një tjetër pamje: përplasjet mes udhëheqësve të të dyja vendeve tregojnë për tensionet në raportet Kosovë-Serbi.