Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Ibishi thotë se disa rojtarë të pyjeve dyshoheshin si bashkëpunëtorë të autoriteteve serbe

Ibishi thotë se disa rojtarë të pyjeve dyshoheshin si bashkëpunëtorë të autoriteteve serbe

Dëshmitari Nuredin Ibishi gjatë dëshmisë së tij në Hagë pohoi se disa nga rojtarët e pyjeve në zonën Operative të Llapit dyshoheshin si bashkëpunëtorë të autoriteteve serbe.

“Po. Jo të gjithë, por disa”, u përgjigj Ibishi në pyetjen e prokurores Silvia D’Ascoli, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Pas kësaj, dëshmitarit iu paraqit një dokument që sipas prokurores ishte urdhër i Policisë Ushtarake i nënzonës së Llapit i lëshuar në vitin 1998 dhe që urdhëronte ndërprerjen e menjëhershme të prerjes së pyjeve për qëllim tregtie apo bashkëpunimi me pushtetin.

Për këtë dokument, dëshmitari tha se nuk e ka parë as atë dhe as formatin e tij, por shpjegoi se pse konsideroheshin si të dyshuar për bashkëpunim me pushtetin rojtarët e pyjeve dhe ata që kanë prerë pyjet në mënyrë ilegale.

“Dyshoheshin ngase në vazhdimësi bënin, ishin në pjesë rurale, pjesë malore ku ata kryheshin detyrën dhe e dishin për pozicionet tona dhe normal ndër tjerë prerësit e druve që prisnin dru në mënyrë ilegale, ata i shfrytëzonin për bashkëpunim dhe shpesh i informonin autoritetet serbe për pozicionet tona. Nuk dua që komunitetin e tyre ta… por një pjesë e tyre ka qenë e involvuar në dhënien e informacioneve. Madje, në disa raste janë vrejtur duke i parapri, sa kam dëgju ka pas raste që i kanë udhëheqë njësitet edhe ushtarake edhe policore-paramilitare në drejtim të pozicioneve tona ngase e kanë njoftë terrenin mirë si pylltarë. Këtu flas për raste të caktuara dhe të dëgjuara”, tha Ibishi.

Ai tha se autoritetet serbe i shfrytëzonin prerësit ilegal të pyejeve, duke iu dhënë leje për tregti ndërsa si kundër-shërbim kërkonin informacion për UÇK-në dhe pozicionet e tyre.

“Nganjëherë ata që kishin bashkëpunëtorë, pra autoritetet serbe të instaluara në Kosovë, ata i shfrytëzonin prerësit e pyejeve ata ilegalë që në një formë t’iu jepin leje si kundër-shërbim ata i ofronin shënime për pozicionin qoftë të forcave, qoftë edhe të dhënave të tjera që ishin në interes të misionit të ushtrisë ose pjesës civile ku ne e kishim zonën e përgjegjësisë”, tha Ibishi.