Eksperti i sigurisë Nuredin Ibishi, në emisionin Arb Debat në TV Arbëria, ka folur për gjendjen e sigurisë në vend para zgjedhjeve lokale që do të mbahen në tetor.
Ai ka potencuar se me mundësinë e konstituimit të institucioneve, do të jetë një sfidë më vete për vendin.
“Do të jetë një sfidë e veçantë, sidomos kur tani po hyjmë në zgjedhjet lokale, e në të vërtetë s’i kemi mbaruar konstituimin e Kuvendit apo funksionalizimin e tij me institucionet, edhe me mandatarët e qeverisë, por edhe funksionimin qendror të shtetit”
Ngërçi politik, Ibishi: I dëshpëruar nga gjithë kjo, kam ngrirë aktivitetin politik
Ai ka treguar në TV Arbëria se, tani për tani, ka ndaluar të gjithë aktivitetin e tij politik si rezultat i ngërçit politik.
“Për shkak të situatës politike, i dëshpëruar nga gjithë kjo, kam ngrirë aktivitetin tim politik. Jam jashtë rrjedhave politike një kohë, derisa situata është e tillë,” ka thënë Ibishi.
“E patolerueshme – LDK-ja nuk njihet kështu, partitë politike nuk po gjejnë gjuhë të përbashkët për tejkalim të bllokadës, po i injorojnë edhe thirrjet e ndërkombëtarëve”
Ndër të tjera, eksperti thekson se LDK-ja nuk ka bërë asgjë për zhbllokimin e situatës, dhe se kjo nuk është LDK-ja që do të duhej të ishte.
“LDK-ja nuk njihet kështu. LDK-ja ka qenë dhe duhet të jetë parti sociale. Këto parti politike janë shqiptare me shumicë. Kur ne nuk gjejmë gjuhë të përbashkët për tejkalimin e situatës, dhe kur na flasin miqtë tanë ndërkombëtarë, partnerët tanë strategjikë, e ne e injorojmë atë, kjo është e patolerueshme” tha Ibishi.
Bllokada politike, Ibishi: Përgjegjësia iu takon të gjitha partive politike
Sipas tij, përgjegjësia për bllokadën bie mbi të gjitha partitë politike, pa dallim.
“Përgjegjësia është nga të gjithë: Vetëvendosja me dy partitë që ka në koalicion, por prijnë edhe dy partitë tjera që janë kryesore. Unë mendoj që në zgjedhjet e ardhshme, tri parti do të ketë Kosova, s’do të ketë më shumë. Zgjedhjet e ardhshme — hipotetike kur do të ndodhin — por shumë shpejt, mendoj, pas zgjedhjeve lokale. Kjo tregon që ne po bëjmë politikë për vetveten, politikë të dëmshme” tha ai në Arb Debat.
VV-ja e sheh të kryer konstituimin e Kuvendit, Ibishi: Sipas Kushtetutës, Kuvendi nuk konstituohet pa zgjedhjen e pesë nënkryetarëve
Duke folur për konstituimin e Kuvendit, të cilin VV-ja e konsideron të kryer, Ibishi thotë se sipas Kushtetutës, Kuvendi nuk është konstituuar pa u zgjedhur 5 nënkryetarët. Në këtë rast, sipas tij, duhet të zgjidhet edhe nënkryetari nga komuniteti serb për t’u konstituuar Kuvendi në tërësi.
“Në aspektin kushtetues, por edhe të Rregullores së Kuvendit, nuk është konstituuar” potencoi ai.
“Me inate e kryeneçësi” – Ibishi i quan politikanët rebel e pa asnjë përgjegjësi: Po veprojnë në kundërshtim me atë për të cilën e ka marrë votën e qytetarëve
Ibishi politikanët i quan rebelë, duke shtuar se nuk po i kryejnë përgjegjësitë që i kanë nga votuesit e tyre, por po veprojnë me inate e kokëfortësi.
“Pjesëtarët e sektorit të sigurisë janë shumë më të përgjegjshëm sesa politikanët, kuvendarët tanë. Ata janë rebelë. Kur ata nuk e kryejnë detyrën që iu ka deleguar, duke iu përmbajtur qëndrimeve politike kryeneçe e inatçore, do të thotë kjo tregon saktë se ata nuk janë të deleguarit e qytetarëve. Nuk janë duke e zbatuar atë; po veprojnë në kundërshtim me atë për të cilën e kanë marrë votën e qytetarëve. Duhet të kenë përgjegjësi” thekson Ibishi.
Eksperti i sigurisë, gjatë intervistës, vë në pah rrezikun që mund të ketë vendi, sidomos para zgjedhjeve lokale, dhe fton organet që të jenë shumë të kujdesshme.
“Vet Vuçiqi doli edhe uroi sektorin e sigurisë të hartojë planet operacionale për Kosovën. A ka kërcënim më të madh?
Në këtë situatë, ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm, sidomos në këto zgjedhjet lokale, me parapërgatitje të mirëfillta, por edhe me punën e sektorit të sigurisë dhe të inteligjencës — me mbledhje të informacioneve dhe shpërndarje edhe te faktori vendor edhe ndërkombëtar — me qëllim që t’i paraprijmë të keqes që mund të na gjenerohet në këto zgjedhje,” deklaroi ai në TV Arbëria.
Emisioni: