Gjykata Themelore në Gjakovë ka dënuar me 7 vjet burgim dhe 500 euro gjobë të pandehurin A.M. për grabitje.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, ngjarja kishte ndodhur më 1 qershor 2026, rreth orës 17:50, prapa këndit të lojërave “Kids Center”, në rrugën “Ferid Domi”.
Sipas përshkrimit të rastit, A.M., duke mbajtur një thikë në dorë, e kishte kapur viktimën nga çanta dhe gjatë përleshjes e kishte goditur disa herë në krahun e majtë me dorezën e saj.
Më pas, ai kishte prerë rripin e çantës dhe kishte marrë nga portofoli i viktimës 115 euro.
Pas grabitjes, i pandehuri dhe 2 të miturit e kishin sulmuar sërish viktimën me grushte në pjesë të ndryshme të trupit, duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore.
Gjykata ka bërë të ditur se kryetari i trupit gjykues, Sulltan Dobraj, pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor, e ka shpallur fajtor A.M. për veprën penale “Grabitja”.
Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese brenda 30 ditëve nga pranimi i vendimit në formë të shkruar.