Kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq, pretendon se “nyja Kosovë” është një “sfidë e madhe dhe se do të jetë e vështirë të arrihet progres në dialogun me Albin Kurtin, sepse ai po shfrytëzon momentin gjeopolitik për të zbatuar qëllimin e tij për dëbimin të serbëve duke e bërë të pakuptimtë çështjen e Asociacionit”.
Vuçeviq ka thënë se qeveria përmes zyrës për Kosovë është absolutisht e përfshirë në zgjidhjen e çështjes së Kosovës.
Ai gjithashtu ka pretenduar se Bosnja dhe Hercegovina është çështja më komplekse në Ballkanin Perëndimor, por se “çështja e Kosovës është e vështirë edhe për serbët edhe shqiptarët”.
“Ne kishim korniza të ndryshme, zgjidhje historike, momente kur njëra apo tjetra palë qëndronte më mirë dhe dominonte apo kishte rrethana më të mira gjeopolitike. Asgjë nuk prodhoi ndonjë zgjidhje afatgjate. Çështja e Kosovës është një sfidë e madhe”, ka thënë ai.
Kryeministri serb ka pretenduar se “për çështjen e Kosovës nuk ka zgjidhje pa Serbinë”.
Ai thekson se zëri i Serbisë nuk dëgjohet kudo në botë, aty ku duhet, por se sot ka rrethana për të folur më hapur.
“Por gjeopolitika është një proces në vazhdim, ai gjithmonë ndryshon dhe sot janë duke u bërë disa ndryshime të mëdha. Cila anë do të mbizotërojë dhe si do të reflektohet në Kosovë është një e panjohur e madhe. Për disa lojtarë të mëdhenj në mjedisin ndërkombëtar, çështja e Kosovës është e zgjidhur, e për të tjerët, nuk është zgjidhur, por edhe për ata për të cilët është zgjidhur çështja e Kosovës, unë i pyes, pse bëjnë presion ndaj Serbisë”, ka thënë Vuçeviq.
“Të gjithë e dinë se nuk ka zgjidhje pa Serbinë”, ka pretenduar ai, duke shtuar se edhe atyre që e konsiderojnë Kosovën shtet të pavarur, ai u thotë se për të “nuk është i pavarur e as nuk do të jetë”.
Nuk mund të ndodhë derisa pala serbe të thotë se është shtet i pavarur”, nënvizoi Vuçeviq.
Ai përkujtoi se disa e shohin çështjen e Kosovës si shembull, disa të mirë, disa të keqe, duke shtuar se presidenti i Federatës Ruse e përmendi si shembull.
“Kosova nuk është vetëm çështje rajonale dhe e marrëdhënieve me Serbinë, por po merr rëndësi për marrëdhëniet gjeopolitike në botë. Duhet të udhëheqim politikën e mençur të Millosh Obrenoviqit, që t’i shmangemi procesit që Kosova duhet të zgjidhet në mënyrë të zgjidhet diçka më të madhe”, ka thënë ai.
Ai “ankohet” se Serbia është e kufizuar nga Rezoluta 1244 dhe Marrëveshja e Kumanovës, si dhe nga rrethanat gjeopolitike të intervenojë, por se ajo duhet të jetë e aftë, e guximshme dhe e mençur që t’i ndihmojë serbët në çdo mënyrë dhe të përsërisë se cilat janë qëllimet e saj në Kosovë.
“Na presin shumë sfida, procesi i dialogut me Kurtin do të jetë i vështirë. Ai nuk sanksionohet, por shpërblehet për çdo gjë që bën. Se kjo po ndodh nën kontrollin e bashkësisë ndërkombëtare, në shekullin e 21-të, është skandaloze dhe shqetësuese”, ka përfunduar kryeministri serb.