Federata e Volejbollit e Kosovës ka marrë sot vendim që të suspendojë gjashtë lojtarë të KV Peja.
Arlind Kabashi, Leotrim Mujaj, Agron Nikqi, Dardan Husaj, Kaltrim Berisha dhe Gazmend Husaj pas humbjes 3:2 në finale të Kupës së Federatës nga KV Ferizaj, u ngjitën në tribuna dhe i sulmuan disa tifozë të KV Ferizajt.
Madje, sipas një reagimi nga Këshilli Organizativ i këtij turneu, tifozët ishin të mitur, shkruan Gazeta Express.
Volejbollistët në fjalë janë suspenduar nga të gjitha aktivitetet e organizuara nga FVK, përfshirë ato ndërkombëtare në bashkëpunim me federatat partnere. Ky pezullim mbetet në fuqi deri në vendimin e Komisionit Disiplinor.
Reagimi i plotë i FVK-së:
Federata e Volejbollit të Kosovës po trajton incidentin në ndeshjen e Kupës FVK-së, Peja – Ferizaj
Federata e Volejbollit të Kosovës (FVK) shpreh shqetësim për incidentin e ndodhur gjatë ndeshjes së Kupës së FVK-së mes ekipeve Peja dhe Ferizaj. FVK ka nisur menjëherë procedurat për trajtimin e kësaj çështjeje dhe po bashkëpunon ngushtë me organet kompetente për një zgjidhje të drejtë dhe transparente.
Në përputhje me rregulloret, Komesari i Garave ka vendosur që gjashtë lojtarët e përfshirë në incident:
• Arlind Kabashi,
• Leotrim Mujaj,
• Agron Nikqi,
• Dardan Husaj,
• Kaltrim Berisha, dhe
• Gazmend Husaj,
të suspendohen nga të gjitha aktivitetet e organizuara nga FVK, përfshirë ato ndërkombëtare në bashkëpunim me federatat partnere. Ky pezullim mbetet në fuqi deri në vendimin e Komisionit Disiplinor.
Komisioni Disiplinor pret deponimin e deklaratave nga të gjithë lojtarët e përfshirë, si pjesë e procesit hetimor që do të çojë në nxjerrjen e vendimit përfundimtar.
FVK riafirmon përkushtimin e saj për të ruajtur integritetin e sportit dhe dënon ashpër çdo sjellje që cenon vlerat e lojës dhe të komunitetit sportiv. Për çdo zhvillim të mëtejshëm, opinioni publik do të njoftohet në kohën e duhur.
Federata e Volejbollit e Kosovës