Sipas Policisë, dje rreth orës 07:00, ankuesi mashkull ka kërkuar një ekipi mjekësor që të shkojë në shtëpinë e tij dhe t’i jepet ndihme mjekësore djalit të tij pasi ishte i sëmurë mental.
Dy njësi policore së bashku me ekipin mjekësor kanë shkuar në shtëpinë e tij, ku dhoma e personit ishte e mbyllur me çelës nga brenda.
“Derisa policia dhe ekipi mjekësor kanë provuar të komunikojnë me të, i njëjti nuk ka pranuar të komunikojë me ta. Pas kësaj policia dhe ekipi mjekësor janë larguar nga ai lokacion. Rreth orës 09:40 në Stacion Policor është paraqitur prapë ankuesi, pasi që sipas tij e kishte hapur derën ku qëndronte djali i tij dhe ka kërkuar që t’i dalin në ndihmë ekipi mjekësor. Rreth orës 09:45 të dy njësitë policore së bashku me ekipin mjekësor kanë shkuar prapë në atë lokacion ku nga ekipi mjekësor i është dhënë një qetësues, por pas disa minutave personit iu ka keqësuar gjendja në frymëmarrje dhe është dërguar në QKMF Skenderaj për trajtim, por mjeku kujdestar rreth orës 09:50, ka konstatuar vdekjen e tij pas një sulmi kardiak. Në QKMF Skenderaj ka dalë patrulla policore dhe njësiti i hetimeve të stacionit dhe njësiti i hetimeve rajonale. Rreth orës 12:37 ekipi i mjekësisë ligjore e kanë marrë viktimën dhe e dërgojnë ne institutin e mjekësisë ligjore në Prishtinë”, thuhet në njoftim.
Lidhur me rastin është njoftua prokurori dhe rasti nën hetime.
/TV Arbëria