Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > I nxehti ekstrem/ Mjeku flet për pasojat: Mund të shkaktojë goditje në tru dhe zemër

I nxehti ekstrem/ Mjeku flet për pasojat: Mund të shkaktojë goditje në tru dhe zemër

Temperaturat përvëluese tash e sa javë kanë arritur edhe në Kosovë.

Mot tejet i nxehtë po mbizotron në vendin tonë, dje më 21 qershor temperaturat kanë shkuar deri në 37 gradë celsius, ndërsa sot më 22 qershor sipas parashikuesve temperaturat kanë shkuar deri në 40 gradë.

Ministria e shëndetësisë qytetarëve u ka bërë apel për kujdes të shtuar gjatë kësaj periudhe.

Gjithashtu dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve të bëjnë kujdes nga temperaturat e larta.

Por çfarë ndikimi mund të kenë këto temperature të larta, në shëndetin tonë?

Rreth kësaj ka folur mjeku Istref Plakolli (Specialist i mjekësisë familjare), ai për TV Arbëria ka thënë se temperaturat e larta kanë ndikim të keq në organizëm tek çdo moshë, por më së shumti tek ata mbi 65 vjeç dhe personat me sëmundje kronike.

“Temperaturat e larta kanë një ndikim negativ në organizëm në cdo moshë por me theks të veçant tek ata mbi 65 vjeq dhe me sëmundje kronike si ato kardiovaskulare”, ka thënë Plakolli.

Sipas specialistit këto temperature të larta mund ta dëmtojnë direkt strukturën e trurit dhe mund të ketë pasoja deri tek goditje në zemër, goditje në tru e pasoja të tjera.

“Përveq këtyre të sëmureve pra kronik, temperaturat e larta shkaktojnë dehidrimin e organizmit e që me pastaj nxiten komplikime të rrezikshme për organizmin. Një tjetër komplikim që vjen direkt nga ekspozimi në diell dhe temperatura të larta është e ashtuquajtura goditja e diellit që mund të dëmtojë direkt strukturat e trurit me pasoja të pariparuara.
Pra dëmet janë të shumta e që mund të inicojnë goditje në zemër, goditje në tru, dështim të organeve tjera etj”, ka thënë Plakolli.

Mjeku thekson se pas temperaturave të larta, në spitale vërehet se është rritur numri i pacientëve.

“Në shërbimin tonë fare lehtë vërehet dyfishimi i pacientëve që kërkojnë ndihmë mjekësore pikërisht nga ndikimi i temperaturave të larta. E simptomat më të shpeshta i hasim si : frymëzenje, variabilitet i tensionit arterial, barkëqitje me të vjellura të shpeshta të cilat patjetër që dehidrojnë organizmin e tyre etj. Pra një fenomen që percjell temperaturat e larta si rezultat i aktivizimit të enterovirusve”, ka thënë specialisti transmeton TV Arbëria.

Specialisti i mjekësisë familjare tutje jep disa rekomandime se si duhet të veprohet në këto ditë të nxehta.

“Mbrojtja më e mirë është të mos ekspozoheni në ndikimin direkt të diellit në orë të caktuara të ditës prej orës 10 deri në ora 17 e më shumë dhe me këtë të konsumohet sasi enorme e lëngjeve me theks te veçant ujë. Mosekspozimi redukton rreziqet dhe përdorimi i lëngjeve pamundëson dehidrimin.

Nëse temperaturat vazhdojnë organizmat e shëndoshë do të kenë sjelljen e adaptimit, kurse tek ata me sëmundje kronike duhet të kenë kujdes ndaj ekspozimit duke qëndruar në shtëpi në dhomat apo vendet më të fresketa, të konsumojnë sa më shumë ujë apo lëngje të fresketa, ushqim të lehtë, terapitë që perdorin të mos i anashkalojnë, kontrolla eventuale mjekësore etj”, ka thënë Istref Plakolli. /TV Arbëria

Powered by WordPress