Erëra të ftohta dhe të rrezikshme kanë vazhduar të mbizotërojnë në pjesë të Shteteve të Bashkuara, ku temperaturat kanë arritur deri në minus 30 gradë celsius.
Rreth 110.000 shtëpi dhe biznese mbetën pa energji elektrike të hënën mbrëma, shumica prej të cilave në Oregon, shtet që po përballet me ndërprerje të rrymës që nga dita e shtunë. Kompania publike për furnizim me energji, Portland General Electric, ka paralajmëruar se kërcënimi nga shiu dhe i ftohti mund të shkaktojnë vonesa në rikthimin e furnizimeve të rregullta me energji elektrike.
Zyrtarët e transportit u kanë bërë thirrje banorëve që t” shmangin udhëtimet, pasi që rrugët pritet të bëhen të rrezikshme nga shtresat e akullit, por edhe mund të ketë rrëzime të pemëve dhe të shtyllave elektrike.
Mësimi është anuluar për nxënësit në Portlend dhe në qytete të tjera të mëdha sikurse Çikago, Denver, Dallas dhe Fort Uorth.