Fatmir Sheholli i dyshuar për spiunazh është kthyer në Qendrën e Paraburgimit në Gjilan, pasi ishte shtruar në spital.
“Pas disa ekzaminimeve dhe trajtimeve në spitalin e Gjilanit, ai është kthyer në Qendrën e Paraburgimit”, ka thënë zëdhënësi i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Florent Gashi.
Sheholli u shtrua në spital dy ditë pas arrestimit të tij.
Në një komunikatë për media, Prokuroria Speciale njoftoi se Sheholli është arrestuar pas hetimeve disa mujore dhe është dërguar në mbajtje për 48 orë.
“Prokuroria Speciale e Kosovës, në bashkëpunim dhe koordinim me Policinë e Kosovës, është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, në përputhje me Kodin e Procedurës Penale dhe ligjet në fuqi, për të cilat publiku do të njoftohet në kohë”, është thënë në njoftimin e Prokurorisë.
Prokuroria kishte kryer bastisje në vendbanimin e të dyshuarit me qëllim të sigurimit edhe të provave të tjera materiale.