I dyshuari për atentatin ndaj ish-Presidentit Donald Trump në 15 shtator në Florida, ka lënë një letër disa muaj më parë, ku shprehej se synonte ta vriste ish presidentin dhe kishte mbajtur shënime dore mbi vendet ku pritej të ishte Trump dhe datat përkatëse, tha të hënën Departamenti amerikan i Drejtësisë.
Këto të dhëna, u bënë publike gjatë seancës dëgjimore të ditës së sotme, për të përcaktuar masën e sigurisë. Departamenti i Drejtësisë kërkon që 58 vjeçari Ryan Wesley Routh të mbahet në burg gjatë hetimeve.
Hollësitë e reja mund të forcojnë pohimet e prokurorëve se i dyshuari Routh paraqet kërcënim për sigurinë publike, pasi kishte në plan të vriste Trump. Plani u pengua nga një agjent i Shërbimit Sekret i cili vuri re të armën e të dyshuarit, në shkurret në fushën e golfit në West Palm Beach të Floridas, ku po luante Trump.
Letra, ishte vendosur brenda një kutie që i ishte dërguar para disa muajsh një personi të paidentifikuar, i cili nuk e kishte hapur deri pas arrestimit të të dyshuarit të dielën.
Kutia përmbante po ashtu municione, një tub metalik dhe sende të tjera.
Personi që mori kutinë dhe u vu në kontakt me organet e zbatimit të ligjit nuk është identifikuar në dokumentin e bërë publik gjatë seancës dëgjimore.
Letra, që i drejtohej botës, me fjalët “e dashur botë”, duket se bazohej në hipotezën se përpjekja për ta vrarë ish-Presidentin do të dështonte.
“Kjo ishte një përpjekje për ta vrarë Donald Trumpin, por unë ju zhgënjeva. Bëra përpjekjet maksimale dhe përdora të gjithë energjitë e mia. U takon juve tani që ta mbaroni këtë punë dhe unë do të ofroj 150 mijë dollarë për këdo që e përfundon këtë punë”, shkruhet në letër, sipas prokurorëve.
Avokati i 58-vjeçarit nuk iu përgjigj një kërkese të agjencisë Associated Press për një koment të hënën në mëngjes.
Të dhënat e telefonit, të cilave iu është referuar Departamenti i Drejtësisë, tregojnë se 58 vjeçari udhëtoi në West Palm Beach të Floridas, nga Greensboro e Karolinës së Veriut në mesin e muajt gusht dhe se ai kishte qenë pranë klubit të golfit të Trump dhe rezidencës së tij në Mar-a-Lago “disa herë, përgjatë disa ditëve” nga data 18 gusht dhe deri në ditën e përpjekjes për ta vrarë.
Ryan Wesley Routh u arrestua të dielën pasdite pasi një agjent i Shërbimit Sekret, i cili po vëzhgonte klubin e golfit të Trump për ndonjë rrezik sigurie, pa një pjesë të fytyrës së një burri si dhe tytën e një arme gjysmë automatike të fshehur në shkurret pranë fushës së golfit.
Agjenti qëlloi në drejtim të të dyshuarit, i cili u largua me shpejtësi, por më pas u ndalua nga autoritetet në një rajon aty pranë.
Shërbimi sekret ka deklaruar se i dyshuari nuk qëlloi dhe në asnjë rast nuk arriti të kishte një pamje të drejtpëdrejtë të ish-Presidentit.
Departamenti i Drejtësisë tha të hënën se autoritetet kishin gjetur në makinën e tij 6 telefona, përshirë një ku tregohej se ai kishte kërkuar në Google se si mund të udhëtohej nga zona Palm Beach për në Meksikë.
Hetuesit thanë se kishin gjetur edhe një listë me data përgjatë muajve gushtit, shtator dhe tetor dhe vendet ku kishte qenë apo pritej të shkonte Trump.
Po ashtu, u gjet edhe një bllok shënimesh që përmbante kritika ndaj qeverive ruse dhe kineze dhe shënime mbi hapat që duheshin ndjekur për t’u bërë pjesë e luftës në mbrojtje të Ukrainës.
Dokumenti i paraqitur në seancën e sotme citon edhe një libër të shkruar nga 58 vjeçari vitin e shkuar në të cilin ai kritikonte ashpër qasjen e Trump mbi politikën e jashtme, përfshirë Ukrainën. Në libër, ai shkruante se Irani “ishte lirë të vriste Trumpin” meqë ky i fundit ishte tërhequr nga marrëveshja bërthamore.
Ndaj Ryan Wesley Routhit janë ngritur akuza për armëmabtje të paligjshme dhe fshirje të numrit të identifikimit të armës. Ai nuk kishte të drejtë të mbante armë për shkak të një dënimit të mëparshëm. Gjatë javëve në vazhdim ndaj tij mund të ngrihen akuza më të rënda./VOA