Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > I cilësoi deklaratat e tij raciste, Stano-Osmanit: Dëgjoni miqtë dhe aleatët, përndryshe rrezikoni të mbeteni vetëm dhe të liheni pas

I cilësoi deklaratat e tij raciste, Stano-Osmanit: Dëgjoni miqtë dhe aleatët, përndryshe rrezikoni të mbeteni vetëm dhe të liheni pas

Presidentja Vjosa Osmani i ka cilësuar si raciste deklaratat e zëdhënësit të Bashkimit Evropian, Peter Stano, lidhur me çështjen e rihapjes së Urës së Ibrit, i cili vazhdimisht thotë se kjo temë duhet të trajtohet në kuadër të dialogut.

Ai nuk ka komentuar direkt deklaratën e Presidentes Osmani, por i ka rikujtuar asaj se është në interesin e Kosovës që të dëgjojë miqtë dhe aleatët, përndryshe do të mbetet vetëm dhe të lihet pas

“Ne vërtet nuk kemi asgjë të re për të thënë për temën e rihapjes së urës dhe as për të gjitha komentet e rastësishme që ju po iu referoheni. Mund të kujtoj vetëm për të gjithë ata që kanë problem të dëgjojnë dhe të kuptojnë se të gjithë miqtë dhe aleatët e Kosovës (BE, SHBA, NATO, MB…) e kanë thënë shumë qartë dhe pa mëdyshje, se është në interesin e Kosovës të dëgjojë të dëgjojë miqtë dhe aleatët, përndryshe njeriu rrezikon të mbetet vetëm dhe të lihet pas”, ka deklaruar Stano

Sipas Stanos, diskutimi i çështjes së urës në kuadër të dialogut, është diskutim rreth zbatimit të marrëveshjes së arritur, e jo marrëveshje e re. Ka rikujtuar se ky është qëndrim unanim i të gjithë miqve dhe aleatëve.

“Mund të përsëris edhe atë që e kemi këshilluar Prishtinën disa herë: Qeverisja e mirë do të thotë të kontaktosh dhe të angazhohesh me komunitetet, të cilat preken nga vendimet specifike. Të trajtosh çështjen e urës në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja do të thotë të diskutosh modalitetet e zbatimit të marrëveshjeve të arritura për urën, jo marrëveshjet e reja. Njeriu me të vërtetë duhet të dëgjojë dhe të përpiqet të kuptojë këshillat unanime të të gjithë miqve dhe aleatëve”, thuhet në përgjigjen e Stanos.

Ndryshe, Osmani deklaroi dje se nuk ka pse të pyetet Serbia për çështjen e urës së Ibrit. Sipas saj, diskutimi i kësaj teme në dialog do të ishte kundër Kushtetutës dhe sovranitetit të Kosovës

“Sa i përket Bashkimit Evropian, deklaratat e zëdhënësit të këtyre institucioneve janë mbi të gjitha raciste, kështu që nuk besoj që meritojnë më shumë vëmendje nga ana ime. Unë jam deklaruar në raport me ato deklarata të tyre raciste, gjatë tërë kohës. Nuk ka asnjë arsye dhe kundërshtoj në çdo mënyrë diskutimin e çështjes së hapjes së urës në Bruksel, nuk kemi çka e pyesim Serbinë, njësoj sikur ky zëdhënësi, më duket është nga Sllovakia, që nuk e pyet asnjë nga shtetet fqinje kur e kalon urën e vet. Pra nuk ka çka pyetet Serbia për një urë brenda territorit të Republikës së Kosovës, dialog me Serbinë për këtë temë nuk do të duhej të pranonte askush, do të ishte kundër kushtetues dhe kundër sovranitetit të Kosovës, por dialog me shpëtimtarët tanë, ajo jo vetëm që është e nevojshme dhe domosdoshme, por është në interesin tonë mbi të gjitha”, tha Osmani para gazetarëve.

Qeveria e Kosovës është e vendosur për hapjen e urës, pavarësisht ndërkombëtarëve. Tash e një javë, në urë janë kryer testime e punë të tjera.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë kërkuar Qeverisë që të mos vazhdojë me planin e saj për hapjen e Urës së Ibrit pasi kjo i vë në rrezik ushtarët amerikanë që shërbejnë në kuadër të KFOR’it.

“Ne besojmë se ky rrezik rrit kërcënimin, mundësinë e dhunës dhe problemet e tjera, si për komunitetin lokal, ashtu edhe për ushtarët e NATO-s, përfshirë ushtarët amerikanë që po punojnë për të siguruar paqen dhe sigurinë në Kosovë. Ne e marrim shumë seriozisht çdo veprim që mund të ndikojë në sigurinë dhe mbrojtjen e ushtarëve amerikanë që punojnë për të mbështetur Kosovën”, ka thënë ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier.

“Shpresa jonë është që Qeveria do ta dëgjojë këtë dhe do t’i marrë parasysh këto shqetësime”, ka shtuar ai.

Kjo çështje është ngritur edhe gjatë brifingut me gazetarë në Departamentin Amerikan të Shtetit. Zëdhënësi Vedant Patel ka thënë se Uashingtoni do të bëjë gjithçka që është e mundur që personeli amerikan të jetë i sigurt.

“Më lejoni të them vetëm se ne sigurisht nuk do të hezitojmë të bëjmë gjithçka që nevojitet për të mbajtur – për t’u siguruar që personeli amerikan dhe njerëzit tanë janë të mbrojtur”, ka thënë Patel.

Kundër hapjes së “njëanshme” të urës ka paralajmëruar edhe KFOR’i të cilët kanë thënë se s’do të hezitojnë të veprojnë në rast të tensioneve.

Nuk dihet se cili do të jetë qëndrimini Qeverisë pas këtyre paralajmërimeve. Kryeministri Kurti në mbledhjen e Qeverisë të mërkurën tha se ‘koordinimi dhe konsultimet” do të vazhdojnë, ndërsa ministri Elbert Krasniqi duke folur për deklaratën e Ambasadorit Hovenier, tha se për kosovarët ushtarët amerikanë janë më të dashurit.

Këto zhvillimet kanë nxitur një përplasje të re ndërmjet Qeverisë dhe BE’së. Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi tha se BE po e kërcënon Kosovën ” në rast se ajo zbaton një marrëveshje të ndërmjetësuar nga BE. Emisari i BE’së Miroslav Lajçak tha se pohimet që BE është kundër hapjes së urës janë mashtruese ndërsa theksoi se në takimin e radhës në Bruksel do të ketë diskutime se si do të hapet Ura e Ibrit. /TV Arbëria/

Powered by WordPress