Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill tha se SHBA-ja do të vazhdojë të punojë me Aleksandar Vuçiqin për sa kohë ai do të jetë president.
Në një intervistë për mediumin serb, NIN, Hill u pyet për akuzat e opozitës në Beograd se ai është i butë me Vuçiqin.
“E dini, unë mendoj se çdo diplomat i huaj që shkon në një vend, në cilindo shtet, bashkëpunon me përfaqësuesit e atij vendi dhe ne si SHBA sigurisht që bashkëpunojmë me përfaqësuesit e Serbisë, përfshirë edhe presidentin Vuçiq. Pra, ne do të vazhdojmë të punojmë me të për sa kohë që ai të jetë president i këtij vendi”, tha ai.
Hill u pyet gjithashtu për presionin në ulje të Perëndimit ndaj Serbisë për të vendosur sanksione ndaj Rusisë.
“Mendoj se e kemi bërë shumë të qartë se do të donim që Serbia t’i bashkohej sanksioneve, por Serbia gjithashtu ka ndërmarrë disa hapa të rëndësishëm për t’ia bërë të qartë Rusisë se s’dakord me agresionin që ai vend e ka kryer kundër fqinjit të saj, dhe unë mendoj se është shumë e rëndësishme. Ne kemi një dialog shumë të mirë me Serbinë, dhe po, Serbia ka ndërmarrë disa hapa shumë konkretë për t’ia bërë të ditur Rusisë se ajo që ka bërë në Ukrainë nuk mund të mbahet, dhe herët a vonë ata do të duhet ta arrijnë një marrëveshje paqeje dhe të tërhiqen nga Ukraina. Kështu që mendoj se shkojmë mirë me Serbinë. Për sa i përket rreshtimit të saj me europianët, do t’ia lë atë diskutimeve të tyre me europianët, por ajo që është e rëndësishme për ne tani është që Serbia e ka bërë të qartë se ku qëndron në raport me Ukrainën”, tha Hill.
I pyetur për ndikimin që ka ambasadori amerikan në Serbi, Hill tha se “mund të jesh i suksesshëm si ambasador i huaj në Republikën e Serbisë, nëse kupton një gjë”.
“Njerëzve këtu nuk iu pëlqen t’u thuhet se çfarë të bëjnë. Pra, nëse keni një ide, flisni për idetë tuaja, flisni për të me njerëzit, përpiquni të kuptoni se si të ecni përpara. Por nëse mendoni se mund t’i impononi diçka popullit serb, atëherë duhet të mendoni me kujdes”, shtoi ai.