Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > I akuzuari në rastin “Subvencionet 1”: Asnjëherë nuk kam qenë përfitues i ndonjë subvencioni apo granti

I akuzuari në rastin “Subvencionet 1”: Asnjëherë nuk kam qenë përfitues i ndonjë subvencioni apo granti

Almir Abdurrahmani, i akuzuar në rastin e njohur si “Subvencionet 1”, gjatë dhënies së mbrojtjes së tij të premten në Gjykatën Themelore të Prishtinës tha se asnjëherë nuk ka qenë përfitues i ndonjë subvencioni apo granti.

I njëjti po ashtu tha se ai asnjëherë nuk ka pasur rol në përzgjedhjen e fermerëve në listën e përfituesve për subvencione, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Nuk kam pasur asnjë rol, përgjegjësi apo ndikim në vendosjen, vlerësimin apo përzgjedhjen e fermerëve në listat e përfituesve për subvencione, sepse kjo nuk ka qenë përgjegjësi apo detyrë e imja”, tha Abdurrahmani.

Tutje, ai thotë se asnjëherë nuk ka njohur ndonjë zyrtarë të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë (AZHB) dhe nuk ka ndërmjetësuar fitimin e subvencioneve për asnjë person të vetëm.

Gjithashtu ai thotë së nuk ka pasur kompetencë që të dal në terren dhe të bëjë kontrolle, pasi që kjo, sipas tij është përgjegjësi e AZHB-së dhe Ministrisë së Bujqësisë.

“Daljet në terren janë të specifikuara shumë qartë në udhëzimin administrativ të MBPZHR, neni 42, pargrafi 1, ku shkruan se kontrolla në terren për pagesat direket bëhet nga AZHB. Kjo bëhet në menyrë për të verifikuar përmbushjen e kritereve të pranueshme. Unë asnjëherë, në asnjë mënyrë nuk kam pasur dijeni apo njoftim zyrtar që ata nuk dalin në terren”, tha Abdurrahmani.

Fillimisht, në këtë seancë Abdurrahmani deklaroi se nuk e mbështet dëshminë e tij të dhënë në polici, pasi që ai ishte ndjerë i kërcënuar në kohën kur po jepte deklaratën.

“Gjatë kësaj kohe hetuesit disa herë e kanë ngrit zërin, më kanë bërtit dhe më kanë kërcënuar se nëse nuk e pranon fajësinë ju sot do të shkoni në paraburgim. Dhe pikërisht kjo gjendje me ka rënduar shumë emocionalit dhe psikologjiskëshit duke patur parasysh edhe gjendjen shëndetësore të vajzës” shtoi Abdurrhmani.

Në këtë seancë nuk ishte prezent i akuzuari Lulzim Hajdari, i cili në bazë të një parashtrese të paraqitur nga mbajtësi i tij, avokati Xhemajl Ademaj, propozoi që të njëjtit mos t’i veçohet procedura por të gjykohet në mungesë.

Lidhur me këtë, trupi gjykues përmes aktvendimit të nxjerr aprovoi propozimin e mbrojtësit të akuzuarit Hajdari .

Po ashtu, në këtë seancë të akuzuarit Afrim Abazaj dhe Florim Nimanaj, e shfrytëzuan të drejtën e tyre që të mbrohen në heshtje.

Në shkurt të 2022-ës, PSRK kishte ngritur aktakuzë ndaj 21 të pandehurve, në rastin “Subvencionet 1”, të cilët janë: Luan Statovci, Sadat Shkodra, Salih Statovci, Berat Nika, Hasan Maxharraj, Kushtrim Zogaj, Habibe Dauti, Alban Bushati, Jeton Sylaj, Lulzim Hajdaraj, Musa Nivokazi, Almir Abdurrahmani, Salih Kelmendi, Bekim Shala, Fuat Morina, Dukagjin Mavraj, Flamur Zeqiri, Daut Kabashi, Kastriot Berisha, Afrim Abazaj dhe Florim Nimanaj.

Ndryshe, në seancën e 21 shkurtit 2023, trupi gjykues kishte veçuar procedurën për të akuzuarit Nivokazi dhe Kelmendi, duke shtuar se gjykata në seancës e radhës do të vlerësojë nëse procedura do të vazhdohet ndaras apo do të bashkohet.

Ndërkaq, në seancën e 14 prillit 2023, ishte bashkuar procedura penale ndaj të akuzuarit Nivokazi me të akuzuarit e tjerë.

Në seancën e 13 prillit 2022, Gjykata Themelore në Prishtinë, kishte pranuar marrëveshjen për pranimin e fajësisë për 7 nga 21 të akuzuarit në rastin “Subvencionet 1”.

Ndërsa, më 19 prill 2022 Gjykata Themelore në Prishtinë kishte shpallur aktgjykim dënues ndaj shtatë të akuzuarve në rastin “Subvencionet 1”, Alban Bushati, Kastriot Berisha, Bekim Shala, Flamur Zeqiri, Habibe Dauti, Dukagjin Mavraj dhe Daut Kabashi, duke i dënuar me 6 vite e 1 muaj burgim dhe 2 mijë euro gjobë.

Sipas aktakuzës së ndryshuar të PSRK-së, të 4 prillit 2022, Flamur Zeqiri, Bekim Shala, Kastriot Berisha dhe Dukagjin Mavraj, akuzoheshin për veprën penale mashtrim me subvencione, për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar akuzohej Habibe Dauti, për marrje ryshfeti dhe falsifikim të dokumenteve akuzohej Alban Bushati, ndërsa për dhënie ryshfeti akuzohej Daut Kabashi.

Aktakuza e ndryshuar më 4 prill 2022 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ngarkon Luan Statovcin, Sadat Shkodrën, Salih Statovcin, Berat Nikën, Hasan Maxharrajn, Kushtrim Zogajn, Jeton Sylajn, Lulzim Hajdarajn, Musa Nivokazin, Almir Abdurrahmanin, Salih Kelmendin, Fuat Morinën, Afrim Abazajn dhe Florim Nimanajn me veprat penale “Marrje ryshfeti”, “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”, “Mashtrim me subvencione”, e të tjera.

Powered by WordPress