Në emisionin “Erdhi Antigona”, që transmetohet në TV Arbëria, Hysni Gucati ka ndarë me publikun kujtime personale nga fëmijëria dhe jeta e tij familjare, shkruan TV Arbëria.
Ai ka treguar se ka lindur më 30 mars 1967 në fshatin Morinë, Komuna e Skenderajt. Sipas tij, babai kishte punuar për një kohë në Pejë dhe pas rreth shtatë-tetë muajsh familja ishte shpërngulur nga fshati. Fëmijërinë dhe rininë e hershme, Gucati i ka kaluar në Pejë, ku edhe ka përfunduar shkollimin dhe është rritur.
Gucati ka theksuar se për një periudhë të gjatë ka qenë i vetmi djalë në familje, me shtatë motra, deri rreth moshës 16-vjeçare, gjë që sipas tij e kishte bërë më të privilegjuar në familje, siç ishte zakon në familjet shqiptare të asaj kohe. Më vonë, familja është zgjeruar edhe me dy vëllezër, të lindur në vitet 1983 dhe 1985, ndërsa ai mbeti fëmija më i madh i familjes.
Në rrëfimin e tij, Gucati ka përmendur edhe emigrimin e babait në Gjermani në vitin 1969, si shumë shqiptarë të asaj kohe, duke shtuar se ai kishte qëndruar atje për një periudhë dhe më pas ishte kthyer në vendlindje.
Duke folur për karakterin e tij si fëmijë, ai është shprehur se ka qenë i urtë dhe i edukuar, duke theksuar se, ndonëse ishte “djalë hasreti”, nuk ka qenë i lazdruar. “As si fëmijë e as sot si burrë, nuk kam ditur me ofenduar,” ka thënë ai.
Një pjesë e veçantë e rrëfimit iu kushtua shoqërisë dhe miqësisë së tij, veçanërisht me Enver Vokshin, me të cilin kishte qenë shok i ngushtë dhe shok banke në shkollë. Ai ka kujtuar me emocione mikpritjen e familjes së Enverit, duke treguar se nëna e tij, çdo mëngjes herët, u përgatiste bukën për shkollë. Gucati ka shtuar se shpesh ka qëndruar më shumë në shtëpinë e shokut të tij sesa në shtëpinë e vet, duke kaluar bashkë ditët e fëmijërisë.
/TV Arbëria