Në emisionin “Erdhi Antigona”, të transmetuar në TV Arbëria, Hysni Gucati ka ndarë me publikun rrëfimin e tij për periudhën para se t’i bashkohej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke folur për përvojën si ushtar i detyruar i ish-Jugosllavisë dhe dezertimin nga ajo ushtri, shkruan TV Arbëria.
Gucati ka treguar se i përkiste gjeneratës së fundit të ushtrisë jugosllave dhe se në vitin 1991 ishte arrestuar në Mitrovicë. Ai ka sqaruar se gjatë vitit 1990 kishte marrë tri herë thirrje për shërbim ushtarak, por nuk ishte paraqitur, pasi në atë kohë rinia shqiptare refuzonte të shkonte ushtar.
Sipas rrëfimit të tij, derisa ishte duke punuar në Mitrovicë, u arrestua dhe u dërgua me forcë për shërbim ushtarak në ish-Jugosllavi. Para nisjes, autoritetet e kishin dërguar në shtëpi për t’u përshëndetur me familjen, pasi ai ishte martuar shumë i ri. Gucati ka treguar se ishte martuar në moshën 18-vjeçare dhe se, kur u dërgua ushtar, kishte katër fëmijë, ndërsa ishte vetëm 22 vjeç.
Ai ka bërë të ditur se më pas ishte dërguar në Kroaci, prej nga kishte dezertuar nga ushtria jugosllave. Në vitin 1991, sipas tij, ishte dërguar sërish me dhunë, në kohën kur kishte filluar lufta në Slloveni, por edhe nga aty kishte ikur, duke dezertuar përfundimisht nga ushtria jugosllave.
Pas kthimit në Kosovë, Gucati ka treguar se familja e tij kishte përjetuar vështirësi të mëdha. Babai i tij ishte larguar nga puna në Pejë dhe më pas kishte shkuar në Gjermani. Në këtë periudhë, ai është lidhur me pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në fund të rrëfimit, Hysni Gucati ka veçuar si kujtimin më të rëndë, por njëkohësisht edhe krenarinë e tij, momentin kur për herë të parë pa ushtarë me emblemën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në vitin 1996.
/TV Arbëria