Hysni Gucati ka deklaruar se që nga kthimi i tij nga Haga është përballur me një fushatë të organizuar, të cilën e ka cilësuar si lincim publik. Ai ka akuzuar individë të caktuar se po përhapin, sipas tij, “gënjeshtra monstruoze” që lidhen me pretendime për përvetësim tokash, vjedhje dhe lidhje me kriminelë serbë.
Gucati i ka quajtur këto akuza absurde dhe fyerje për integritetin e tij, ndërsa ka ftuar publikisht Prokurorinë dhe Gjykatat që të nisin hetimet. Ai theksoi se nëse ekziston qoftë edhe një fakt i vetëm, rasti duhet të dërgohet në gjykatë, në të kundërt, sipas tij, shpifësit duhet të mbajnë përgjegjësi ligjore.
Ai gjithashtu kërkoi nga organet përgjegjëse të zbardhin prapavijën e sulmeve, duke shtuar se përballja, siç u shpreh, “do të jetë në gjykatë”.