Në emisionin “Erdhi Antigona”, të transmetuar në TV Arbëria, Hysni Gucati ka rrëfyer për frymëzimin e tij jetësor, duke ndarë me publikun kujtime të dhimbshme nga e kaluara e familjes së tij gjatë periudhës së sistemit jugosllav, shkruan TV Arbëria.
Gucati ka treguar se frymëzimi i tij kryesor ka qenë xhaxhai i tij, Ramadani, i cili i rrëfente vazhdimisht për vuajtjet e përjetuara në atë kohë. Ai ka përmendur se Demir Gucati kishte vrarë babanë e një figure të njohur në ish-Jugosllavi, babanë e Millovan Nikolla Gjillasit, ngjarje kjo që, sipas tij, kishte sjellë pasoja të rënda jo vetëm për familjen e tyre, por për gjithë lagjen.
Sipas rrëfimit të tij, pas kësaj ngjarjeje, familja Gucati dhe banorët e lagjes kishin përjetuar represion dhe vuajtje të vazhdueshme. Gucati ka theksuar se këto rrëfime e kishin ndikuar thellë që në fëmijëri.
Ai ka ndalur veçanërisht te rasti i xhaxhait të tij, Ramadani, i cili në vitin 1956, gjatë kohës së Rankoviqit, ishte arrestuar dhe ishte torturuar rëndë. “E kanë futur në ujë të ftohtë, ia kanë thyer akullin dhe e kanë zhytur në ujë,” ka treguar Gucati, duke shtuar se pasojat e torturave kanë qenë shkatërruese për shëndetin e tij, deri në paralizim të pjesshëm. Edhe pse ishte i gjatë dhe trupmadh, për shkak të sëmundjeve të rënda dhe torturave, ai ishte kërrusur shumë shpejt.
Në fund të rrëfimit, Hysni Gucati ka theksuar se frymëzimin nuk e ka marrë vetëm nga xhaxhai i tij, por edhe nga babai, i cili gjithashtu kishte vuajtur nën të njëjtin sistem represiv.
/ TV Arbëria